Foto: Kallxo.com

Ministri përballet me deputetët për mungesat në shëndetësi

Lista esenciale është një proces që nuk ka një model për t’u bazuar në të sepse nuk ka pasur një revidim të kësaj liste, tha Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili gjatë raportimit te Komisioni Parlamentar Për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Sipas Ismailit, revidentimi i listës së barnave esenciale është një proces në vetë që kërkon kohë dhe angazhim, dhe në mënyrë që ky proces të jetë transparent, ai tha se janë marrë masa qysh në fillim të procesit.

“Për procesin e revidimit të listës esenciale kemi ftuar drejtorin e Agjencisë Antikorupsion i cili ka draftu një formular të deklarimit në betim për te gjithë anëtarët e komitetit të japin deklaratë nën betim se nuk kanë konflikt interesi, ka pasur tërheqje të njerëzve qe kanë pasur konflikt interesi dhe janë zëvendësu”, tha Ismaili.

Sipas tij, pas procedurave ka filluar procesi i aplikimit për barnat esenciale dhe për këtë proces janë themeluar tetë nën-komitete qëllimi i të cilave është që të ndahen në bazë të grupeve të barnave dhe profesionistët të kontribuojnë në fushën e tyre.

“Gjatë këtij procesi kemi pasur trajnime nga OBSH, në shtator kemi pasur një ligjëratë për fushën e onkologjisë i cili e ka trajnuar komitetin teknik për revidimin e listës esenciale”, tha ministri para deputetëve.

Ai tha se ka një ndryshim të madh se si janë trajtuar sëmundjet e kancerit në vitin 2012 atëherë kur për herë të fundit është bërë revidentimi i listës esenciale dhe si trajtohen sot.

Sipas Ismailit, deri në fund të këtij viti pritet të kenë një listë preliminare dhe pastaj në vitin tjetër pritet lista përfundimtare.

Deputeti Haxhi Avdyli nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se shqetësim është që përkundër kursimeve e rritjes së buxhetit akoma pacientët i blejnë gjërat më bazike.

“Si ndodhi të shtohen nevojat e qytetarëve për insulina, si ndodhi që një numër kaq i madh buxhetit të shkojë për insulina? Dializa është kthyer në metoda të vjetra të trajtimit, janë vërejtë pagesa të dyfishta nga Ministria e Shëndetësisë për spitalin e Mitrovicës, është një e pavërtetë e madhe që në spitalet e Kosovës ka ende shtretër të vitit 1981 mund të jenë të vjetër por jo të atij viti, si ndodhi këta shtretër të vijnë e të mos i zë lifti kur dihet se pacientët me shtretër transportohen”, tha ai.

Ismaili tha se pretendimet e Haxhi Avdylit janë të pavërteta. Ai tha se përgjegjëse për gjendjen në shëndetësi është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Ke folë për dështimet e LDK sa ka qenë në pushtet, asnjë nuk ka pasur të bëjë me mua, nëse jeni mësu ju me ble 6 milionë euro më shumë, unë nuk jam mësu” tha ai.

“Arsyeja pse furnizimi ka rënë është për shkak se kontratat në kohën e auditimit kanë qenë të LDK-së. Me ardhë kontrata 2 milionë e mos me pasë menaxher të kontratës veç këtu kam pa” tha ai.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Mulhaxha Kollqaku tha se përvetësimet e individëve kushtojnë me shëndetin e pacientëve.

“Ju e dini kush i ka bëre këto shkelje duhet t’i adresoni në publik”, tha ajo duke ju drejtuar Ministrit Ismaili.

Sipas deputetes Mulhaxha- Kollçaku, ka ngecje të madhe në nxjerrjen e akteve nënligjore që i bëjnë ligjet e pazbatueshme.

Përderisa Ismaili u thirr në lehtësimin e punës së profesionistëve shëndetësore, Mulhaxha Kollçaku tha se mjeku epidimiolog në Institutin e Shëndetin Publik nuk ka veturë për terren ndërsa qeveritarët kanë vetura me bollëk.