Ministri Mustafa diskuton me homologun kroat çështjen e njohjes së patentëshoferëve

Në kuadër të konferencës ministrore “Procesi i Brdos”, që u mbajt në Shkup, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa ka zhvilluar takime bilaterale me ministrin e Brendshëm të Kroacisë, Davor Bozinovic si dhe me ministrin e Brendshëm të Sllovenisë, Bostjan Poklukar, bën të ditur komunikata nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Në takim mes ministrit Mustafa dhe homologut të tij kroat, në mes të tjerash u diskutua për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit, marrëveshjet e bashkëpunimit me policinë, dhe fushën e forenzikës.

Në këtë takim gjithashtu u bisedua për mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshje bilaterale në mes të Kosovës dhe Kroacisë për njohjen e patentë shoferëve.

Ndërsa, në takim me ministrin e brendshëm të Sllovenisë Bostjan Poklukar, u diskutua lidhur me marrëdhëniet e mira në mes të dy shteteve në fushën e sigurisë, me theks të veçantë në bashkëpunimin policor në mes të të dyja vendeve.

Në të dy takimet ministri Mustafa mori përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë.