Foto: Arkiv

Ministri Mungon në Shqyrtimin e Projekt-Ligjit për Sponsorizime dhe Donacione

Edhe këtë javë Komisioni për Arsim nuk ka mundur ta shqyrtojë Projektligjin për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

Arsyeja e mos shqyrtimit të këtij projektligji ishte mospjesëmarrja e Ministrit të Kulturës, në Komision për t’i diskutuar dhe mbështetur ndryshimet e propozuara nga deputetët.

Anëtarët e Komisionit sërish kanë kërkuar që të hënën ose të martën e javës tjetër të jetë prezent Ministri i Kulturës, Kujtim Shala, dhe ai i Financave, Avdullah Hoti, në mënyrë që ta shqyrtojnë bashkë projektligjin.

Kryetari i Komisionit, Nait Hasani, ka thënë se ky ligj është mjaft i rëndësishëm por me ndryshimet që janë bërë në fushën e sportit siç është pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA nuk mund t’i realizojnë pretendimet e tyre.

“Një nga ato që për neve ka pas rëndësi ka qenë që ndryshimet që janë bërë në fushën e sportit- pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA. Janë dy ndryshime shumë të mëdha që me këtë ligj nuk mundemi me i realizu ato pretendime që i kemi. Kemi kërkuar me ardhë ministri që me pas mundësi me na ndihu në ato që ne kemi konstatuar”, tha Hasani.

Edhe nënkryetari i parë i komisionit Salih Morina dhe deputeti Bekim Haxhiu, janë dakorduar që t’i presin ministrat, zëvendësministrat apo ndonjë shkresë nga zyra ligjore e ministrive dhe të marrin sinjalin e gjelbër që deputetët të vazhdojnë punën e tyre.

“Jemi dakord që me kanë prezent edhe ministri nëse aj nuk ka kohë për shumë arsye ndoshta atë herë është edhe zv/ministri, zyra ligjore, mundet me sjell shkresë me shkrim që ne me marr sinjalin e gjelbër që ne të vazhdojmë punën tonë”, tha Morina.

Sipas tij me pranimin e Kosovës në organizata botërore, kanë marr vendim që ta shikojnë edhe  një herë këtë projektligj që të jetë në bazë të standardeve dhe kritereve të këtyre dy organizatave më të fuqishme.