Ministri Lluka u takua me kryesuesen e Bordit të Telekomit, gjatë javës takohet me Haradinajn

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, e ka zhvilluar një takim gjatë ditës së sotme me kryesuesen e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri – Berisha.

Këtë e ka konfirmuar ministri Lluka për KALLXO.com, duke thënë se ka qenë një takim koordinues.

“Së pari Ministria, Bordi dhe Qeveria, me u koordinu me aktivitete dhe mandej ato koordinime e aktivitete duhet me ia komuniku grupit punues për qëndrimin shtetëror karshi kësaj pune”, ka thënë Lluka për KALLXO.com.

I pari i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik theksoi se tash është duke pritur takim me kryeministrin dhe potencialisht me liderët e koalicionit për të diskutuar disa çështje të brendshme edhe me pas një takim koordinues me grupin negociator.

“Jemi duke u koordinu për një takim [me kryeministrin], sot, nesër. Gjithqysh gjatë kësaj jave, nuk e kemi çare”, deklaroi Lluka.

Sa i përket përbërjes së grupit negociator, Lluka tha se nuk e di kush janë por që janë njerëz teknikë nga Bordi dhe menaxhmenti i Telekomit, që nuk janë politikë apo të Qeverisë.

“Ne nuk përzihemi se është përzierje e kompetencave, mandej është influencë politike brenda vendimeve operative të Telekomit, që nuk e lejon as ligji, andaj Bordi bashkë me menaxhmentin e kanë bërë një grup, e grupi është më shumë teknik”, deklaroi Lluka për KALLXO.com.

Ministri Lluka tha se ata do të koordinohen që mos t’ia lënë vetëm grupit negociator 100 për qind vendimmarrjen.

“Që në rast se shkon në një rrugë të gabuar, me pasë një mundësi me i koordinu aktivitetet”, tha ai.

Më tej ministri Lluka ka thënë se grupi negociator kanë kohë që të dalin me propozim deri në fund të muajit korrik.

“Së pari ne duhet me u koordinu si politikë, pastaj ne koordinohemi dhe kontaktin e vetëm që e kam unë si ministër apo Qeveria me Telekomin është Bordi, kështu që Bordi është përfaqësues i aksioneve tona. Me anëtarët e Bordit ne koordinohemi për qasjen tonë karshi këtij problemi dhe pastaj Bordi sigurohet që me ekipin negociator t’i diskutojnë çështjet brenda këtij grupi negociator”, shtoi ministri.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar me kryeshefin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, për të biseduar në lidhje me situatën në Telekomin e Kosovës.

“Prita në takim drejtorin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës Bedri Istrefi, me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit në këtë kompani dhe për obligimet financiare që ka kjo ndërmarrje, përfshirë këtu edhe kontratën me Z Mobile”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në “Facebook”.

Telekomi i Kosovës ka hyrë në negociata me kompaninë “Dardafon.net L.L.C”, pronë e Blerim Devollit, për vazhdimin e kontratës për operator virtual- ‘Z-Mobile’.

Vazhdimi i kontratës po kushtëzohet nga një borxh prej 25 milionë euro që Telekomi ia ka kompanisë së Blerim Devollit, pasi kjo e fundit kishte fituar arbitrazhin.

Muaji korrik i këtij viti do të shënojë fundin e kontratës 10 vjeçare mes Telekomit dhe ‘Z-Mobile’, por vazhdimi i kësaj kontrate po negociohet në të njëjtën kohë me borxhin 25 milionësh.

Në kohën kur negociatat po vazhdojnë, “Dardafon.net L.L.C” i është drejtuar Telekomit me një ultimatum prej dy javësh për ta paguar borxhin prej rreth 25 milionë eurosh.

Besa Shatri, kryesuese e Bordit të Telekomit thotë se vazhdimi i marrëveshjes po është kusht për të parandaluar falimentimin që do të vinte nëse Telekomi obligohet të paguajë borxhin prej 25 milionë eurove.

“Realisht po na kushtëzon neve që domosdo me hy me këqyr vazhdimin e kontratës si diçka të obligueshme. Përkundër asaj që shumë herë u përfol në media a duhet me u vazhdu a nuk duhet me u vazhdu, na po jemi të obligueshëm pak a shumë në situatën që jemi me hi në negociata për vazhdim dhe riprogramim të borxhit për shkak se nuk ka mundësi me pagu borxhin. Na qet në disfavor total ky borxh”, tha Shatri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Arbitrazhi

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.

Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.

Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Përgjigjja e “Z-Mobile” 

Sipas “Z-Mobile”, gjatë gjithë kohës kanë zhvilluar takime me Telekomin e Kosovës për të gjetur një zgjidhje miqësore me qëllim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit por gjithmonë ka pasur mospërmbushje të kushteve të marrëveshjes.

“Telekomi dhe Z Mobile gjatë gjithë kësaj kohe kanë zhvilluar takime me qëllim të kërkimit të zgjidhjes miqësore, me qëllim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit. Ne gjithmonë jemi deklaruar se nuk kemi interes që Telekomi të ketë vështirësi. Për këtë qëllim kemi iniciuar biseda për zgjidhen e një modusi, i cili ruan të dyja palët dhe paraqet një zgjidhje të qëndrueshme përpara”, thuhet në deklaratën e “Z-Mobile”.

“Z-Mobile” ka potencuar se atyre nuk i është lënë asnjë hapësirë për të shpresuar se në të ardhmen Telekomi i Kosovës do t’i respektojë detyrimet e veta.

“Në këtë situatë neve nuk na është lënë asnjë hapësirë për të shpresuar se në periudhën në vazhdim Telekomi do t’i respektojë detyrimet e veta, të ripotencuara qartë edhe në vendimin e Arbitazhit, kështu që jemi detyruar të thirremi në vendimin e njëjtë të ICC-së për ekzekutim të kompensimit të humbjeve të shkaktuara shkaku i neglizhencës së njërës palë kontraktuale, Telekomit të Kosovës”, theksohet në deklaratën e “Z-Mobile”.

Reagimet për gjendjen e Telekomit të Kosovës 

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri ka thënë se gjendja e Telekomit të Kosovës nuk ka qenë kurrë më e rëndë se tani.

Sipas Ymeri, kjo gjendje e ka një histori pasi qeverisjet e Kosovës kanë pasur të njëjtën qasje ndaj kësaj ndërmarrje publike.

“Kontratat me palët e treta, sikur ajo për krijimin e operatorit virtual Z Mobile, si dhe me kompanitë tjera që kryejnë shërbime për Telekomin, qartazi kanë shërbyer si mekanizëm për kanalizimin e të mirave publike në xhepa privat. Ky, për mua është definicioni i korrupsionit – vendimet e zyrtarëve publik të cilat i shërbejnë (vetëm) interesave partikulare”, ka shkruar Ymeri.   

Në kohën kur Telekomit të Kosovës i ka mbetur edhe pak kohë për të paguar borxhin prej 25 milionë euro ndaj “Z-Mobile”, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, njoftoi për dy nisma emergjente “për ta ndalur krimin që ka gjunjëzuar gjyqësorin, prokurorinë dhe qeverinë”.

E para ka të bëjë me thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvend, dhe e dyta ka të bëjë me një nismë ligjore, së cilës nëse ia ngushtojmë kuptimin siç tha Konjufca në konferencë për media, i bie që t’i ndalohet veprimtaria kompanisë Z-Mobile.

Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së ka reaguar pas paralajmërimit të Z-Mobile ndaj Telekomit të Kosovës së do se do ta dërgojnë borxhin prej më shumë se 25 milionë euro në përmbarim.

Punëtorët e PTK-së kanë paralajmëruar se nuk do të rrinë duarkryq duke shtuar se duhet ditur të mbrohet Telekomi dhe nuk i frikësohen “shantazheve nga korrupsioni dhe krimi i organizuar”.

“Lidhur me kërcënimin e Z-Mobile ndaj Telekomit të Kosovës për ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit, ju bëjmë me dije edhe pronarëve të Z-Mobile por edhe qeverisë se ata do të jenë përgjegjës për kaosin social që mund të shkaktojë ekzekutimi i këtij vendimi. Ne tashmë nuk do të rrijmë durakryq përballë të drejtës sonë për ta mbrojtur kompaninë. Opinioni publik tashmë e di mirë se kush janë shkaktarët e vërtetë të dëmtimit të Telekomit”, thuhet në reagimin e tyre në “Facebook”.