Arsim Bajrami, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë/ Foto: Facebook

Ministri Kërkon Zgjedhje ‘sa më të Shpejtë’ të Rektorit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i ka bërë thirrje Këshillit Drejtues të UP-së që ta zgjedhë sa më shpejt rektorin e ri të Universitetit të Prishtinës në mënyrë që gjendja në universitet të stabilizohet.

Anëtarët e KD të UP-së dështuan para dy javëve që ta zgjedhin rektorin për shkak se asnjë nga kandidatët nuk mori votat e mjaftueshme ndërsa këtë javë është shpallur konkursi i ri për rektor.

Njëri nga anëtarët e këtij këshilli, një ditë më pas, fajësoi ministrin Bajrami dhe anëtarin austriak të këtij organi për këtë dështim, për shkak se Sigurd Hoellinger nuk ishte i pranishëm në votim.

Vetë Hoellinger kishte hedhur poshtë këto akuza në një deklaratë të tij për KALLXO.com.

http://kallxo.com/sigurd-hoellinger-flet-per-votimin-e-rektorit-dhe-akuzat-ndaj-tij/

Ndërkohë edhe ministri Bajrami ka vlerësuar se zgjedhja e rektorit do të duhej të bëhej nga anëtarët vendorë të Këshillit Drejtues ndërsa ka hedhur poshtë arsyetimet dhe fajësimet ndaj anëtarit ndërkombëtar.

“Rektorin duhet ta zgjedhin anëtarët vendorë, duhet të ndihen më përgjegjës dhe mos ta gjuajnë fajin te një personalitet i shquar i cili edhe nuk është zgjedhur për të ardhur në Prishtinë por është zgjedhur për të lobuar nga Vjena për pranimin tonë në Bolonjë”, tha ministri Bajrami.

Këto deklarata, ministri i ka bërë në konferencën e mbajtur pas nënshkrimit të memorandumit bashkëpunues ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Odës Ekonomike të Kosovës.

Ky memorandum fokusohet në punësimin e të rinjve që studiojnë apo mësojnë në arsimin profesional nëpërmjet bashkpunimit me bizneset.

Bajrami ka vlerësuar këtë memorandum si ndihmë për profesionalizimin e nxënësve dhe studentëve dhe përgatitjen e tyre për tregun e punës.

“Oda Ekonomike është një partner i fuqishëm ekonomik i cili do ta ndihmojë Ministrinë e Arsimit në lidhjen e arsimit me praktikën, pra lidhja midis shkollës dhe biznesit”, tha Bajrami.

Ndërkaq  Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike, ka thënë se bashkëpunimi mes këtyre dy institucioneve është bërë më qëllim të zhvillimit ekonomik nëpërmjet të rinjve të aftë për punë.

“Është e vërtetë që dëshirojmë ta ndërprejmë në njëfarë forme akademizimin e të rinjve dhe të krijojmë të rinj për nevoja të tregut dhe nevoja të punës që është substanca e zhvillimit ekonomik”, tha Gërxhaliu.