Vizita në Gjykatën e Prizrenit | Foto: MInistria e Drejtësisë

Ministri Kërkon Punë Pas Rritjes së Rrogave të Gjyqtarëve

Tahiri, së bashku me Nehat Idrizin, kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kanë bërë vizitë në Gjykatën Themelore në Prizren, ku janë pritur nga kryetari i kësaj Gjykate, Ymer Hoxha.

Tahiri, ka përmendur pagën e gjyqtarëve, duke thënë se është më e mira në rajon.

“Sot gjyqtari i Republikës së Kosovës është një njeri me dinjitet, që e ka pagën më të mirën në rajon por ndoshta edhe më gjerë, dhe me të drejtë qytetarët presin një angazhim më të madh”, tha Tahiri.

Ai u kërkoi gjyqtarëve angazhim më të madh në luftë kundër krimit dhe korrupsionit.

“Fundi i 2018-ës, ne do të jemi të gjithë bashkë dhe shpresojmë që do të kemi rezultate të prekshme në luftë kundër krimit, në luftë kundër korrupsionit, në luftë kundër së keqes dhe dukurie negative, dhe që ndërlidhet direkt me punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, theksoi ministri Tahiri.

Edhe Nehat Idrizi ka shprehur përkushtimin që viti 2018 të jetë vit i sundimit të ligjit.

“Ky vit do të jetë vit i sundimit të ligjit, do të rrisim transparencën, llogaridhënien, efikasitetin dhe performancën e gjyqësorit” ka thënë kryesuesi i KGjK-së.

Kurse, kryetari i Gjykatës në Prizren, Ymer Hoxha, u shpreh i kënaqur me mbështetjen që mori në shtimin e numrit të të punësuarve dhe zgjerimin e hapësirave të punës.