Abelard Tahiri, Foto: Facebook.
Ministri Kërkon Përgjegjësi për Ikjen e një të Burgosuri
Abelard Tahiri, ministri i Drejtësisë ka treguar sot nëpërmjet Facebook-ut se një i burgosur që po trajtohej në QKUK mbrëmë është arratisur prej atje.
“Mbrëmë, një i burgosur, i dënuar me 30 vjet, është arratisur nga QKUK-ja – ku ishte për trajtim. Për këtë, kam kërkuar një raport të detajuar dhe masa të menjëhershme për kthimin e tij në vuajtje të dënimit”, shkroi Tahiri.
Ministri më tutje ka kërkuar përgjegjësi për këtë ikje.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës, viteve të fundit, është përballur me parregullsi dhe probleme që kanë shkaktuar degradimin e tij, duke prodhuar kështu efektet e veta”, shkroi më tutje Tahiri.
Ai u zotua se ky shërbim “do të jetë në nivelin e detyrës dhe të ketë menaxhim të mirëfilltë, që ia mundëson funksionimin sipas ligjit dhe standardeve më të mira ndërkombëtare”.
KALLXO.com ka kërkuar edhe mendimin e Sokol Zogajt, kreut të Shërbimit Korrektues për ikjen e këtij të burgosuri dhe fjalët e ministrit për kërkim përgjegjësie, por Zogaj ende nuk është përgjigjur.
Një i burgosur kishte ikur edhe në mars të këtij viti gjatë trajtimit në QKUK, por në të njëjtën ditë ishte kapur nga policia.
Edhe Sami Lushtaku kur po trajtohej në QKUK, derisa mbahej në paraburgim dhe po përballej me akuzat për një vrasje gjatë kohës së luftës, ishte arratisur nga QKUK-ja.
Për këtë arratisje është ngritur aktakuzë dhe ka nisur gjykimi vitin e kaluar.