Ministri Uran Ismaili - Foto: Facebook/UranIsmaili

Ministri Ismaili: Spitali i ri Kirurgjik Pediatrik i gatshëm pas 22 muajve

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili i shoqëruar nga përfaqësuesit nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë vizituar vend punimin ku po ndërtohet Spitali i ri Kirurgjik Pediatrik.

Ismaili përmes një komunikate njoftoi se objekti i premtuar po merr pamje të mirë dhe që, pas disa viteve zvarritjeje, ai thotë se punimet do të zgjasin 22 muaj.

“Pas shumë vitesh zvarritjeje, objekti i Spitalit Pediatrik Kirurgjik ngadalë po merr formën e tij. Së bashku me përfaqësuesit e Emirateve të Bashkuara Arabe sot vizituam vendin ku punimet po zhvillohen me intensitet të lartë, në mënyrë që brenda 22 muajve të kemi një spital modern, që do t’i integrojë të gjitha shërbimet shëndetësore për fëmijë”, ka njoftuar ministri në rrjetin social ‘Facebook’.

Sipas tij, Spitali me rreth 10 mijë metra katrorë hapësirë, kap koston 20 milionë euro.

“Me rreth 10 mijë metra katrorë hapësirë, ky spital që kap koston 20 milionë euro, do të ofrojë kushte të mira për punë, 100 shtretër dhe pajisje bashkëkohore për shërbime profesionale ndaj fëmijëve tanë”, ka shkruar Ismaili.