Ilustrim

Ministri Ismaili monitoron punën e pajisjeve të reja në QKUK

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha sot se ka filluar të bëjë vetë inspektimin  e punës me aparaturat e reja në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“E kam parë nga komentet e juaja, të dashur qytetarë, se kohë pas kohe po shqetësoheni, me të drejtë, se aparaturat e reja që po i blejmë dhe po i dorëzojmë nuk do të futen në funksion. Duke u nisur nga ky shqetësim i juaji, unë kam marrë vendim që të monitoroj secilën aparaturë të cilën do ta blejmë, ku do të dorëzohet, çfarë funksioni do të kryejë, dhe a po përdoret”, tha Ismaili.

Ai sot vizitoi klinikën e Gastroenterologjisë, të cilës ditë më parë iu dorëzua një endoskop i ri për kontrollimin e lukthit dhe zorrëve.

Sipas Ismailit, endoskopi i munguar prej tri vitesh në këtë klinikë, ka dy ditë që është futur në funksion dhe është rifunksionalizuar shërbimi për kontrollimin e lukthit dhe zorrëve në QKUK.