Ministri i Tregtisë takon ambasadorin britanik, nuk ia citon asnjë deklaratë

Një ditë pas përvojës së hidhur të ambasadorit në largim të Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, me Ministrinë e Integrimit Evropian, për shtrembërim të deklaratave të këtij të fundit, ka pasuar vizita e radhës e ambasadorit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Por ndryshe nga Ministria e Integrimeve Evropiane, ministri në largim i MTI-së, Endrit Shala përmes një publikimi në Facebook, ka njoftuar për këtë takim, ndonëse nuk e ka cituar asnjë qëndrim apo deklaratë të ambasadorit O’Connell.

Shala ka shtuar se e ka falënderuar ambasadorin britanik për mbështjen që e ka dhënë për MTI-në.

“Prita në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Ruairi O’Conell, dhe e falënderova për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pa rezervë që ka dhënë për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë”, ka shkruar ministri në largim.

Sipas Shalës, Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Bashkuar shumë shpejt do ta finalizojnë Marrëveshjen për Tregti të Lirë e cila, sipas tij, do ta lehtësojë tregtinë në mes të dyja vendeve.

“Republika e Kosovës i është mirënjohëse gjithmonë Mbretërisë së Bashkuar për ndihmën që ka dhënë dhe po vazhdon të japë për zhvillimin e shtetit tonë. Faleminderit ambasador”, thuhet në shkrimin e tij.

Ministri në largim i MTI-së Endrit Shala dhe Ambasadori britanik Ruairi O’Connell – Foto: Endrit Shala, Facebook

Të mërkurën, ambasadori O’Connell i demantoi deklarimet në komunikatën e Ministrisë së Integrimit Evropian të Dhurata Hoxhës, lëshuar pas takimit ndërmjet tyre.

“Ambasadori O’Connell, vlerësoi punën e institucioneve duke potencuar zbatimin e MSA-së, reformave si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe respektimin e të drejtave të njeriut, në veçanti për procesin integrues, procese këto që duhet bërë edhe më shumë”, thuhej në njoftimin e ministrisë.

Për këtë reagoi publikisht Ambasadori O’Connell nëpërmjet Facebook-ut.

“Në fakt, unë nuk ofrova ndonjë mendim për zbatimin e MSA-së në Kosovë. As nuk e diskutuam. Ne nuk diskutuam për të drejtat e njeriut. Ne diskutuam për rregullin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Unë thashë që Kosova ishte në një pikë të rëndësishme, dhe se duhej të ndërmarrë hapa për të pastruar politikën nga kriminaliteti. Unë nuk ofroi asnjë vlerësim për punën e institucioneve”, ka shkruar O’Connell në “Facebook”.

E pas këtij reagimi, Ministria e Integrimit Evropian përmes një komunikate për media, e ka pranuar mashtrimin, duke shtuar se njoftimi ishte shabllon.

“Zyra e Komunikimit dhe Informimit e Ministrisë së Integrimit Evropian, shpreh keqardhje për versionin e kumtesës e cila kishte lëshime dhe ishte shabllon i përdorur më herët dhe i pakonfirmuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në komunikatën e ministrisë së Dhurata Hoxhës.

Ambasadori O’Connell demanton ministrinë e Dhurata Hoxhës