Ministri i Drejtësisë nga PDK komenton deklarimet e Sami Lushtakut

Një deklarim i ish- kryetarit të Skenderajt dhe kryetarit aktual të degës së PDK-së në këtë komunë, Sami Lushtaku, ngjalli shumë reagime.

Lushtaku tha se janë 4-5 persona brenda partisë së Kadri Veselit të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë.

“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirëinformuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, deklaroi njëri nga figurat kyce të PDK-së.

KALLXO.com ka kontaktuar ministrin e Drejtësisë që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, për të marrë një koment mbi këto deklarime të Lushtakut.

“Drejtësinë në Kosovë e drejtojnë institucionet që janë të thirrura me ligj me e drejtu, nuk mund të flas më shumë për këto deklarata politike”, ka thënë shkurt Tahiri për KALLXO.com kur është pyetur nëse ka persona në PDK që e kontrollojnë drejtësinë në vend.

Tutje, ai ka refuzuar të komentojë më shumë mbi deklarimet e kryetarit të PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku.

“Mundeni me e pyet z. Lushtaku për kënd ka aludu, por unë nuk mund t’i komentoj deklaratat e kërkujt”, tha ai.