Korrupsioni - Foto: REL/Shutterstock

Ministri i Drejtësisë me kritika për dënimet alternative për rastet e korrupsionit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka hapur sot punimet në seminarin e nivelit të lartë mbi dënimet dhe masat alternative.

Tahiri ka kërkuar nga gjyqtarët e prokurorët që t`i kushtojnë rëndësi zbatimit të masave alternative, duke qenë se përveç ndëshkimit, drejtësia synon edhe ri-integrimin e personave të dënuar.

“Qëllimi i drejtësisë që ne si shoqëri synojmë, përveç ndëshkimit për kryerësit e veprave penale, përveç parandalimit dhe luftimit të dukurive antiligjore, është që nga ballafaqimi me të, qytetarët tanë të reflektojnë dhe t’i rikthehen shoqërisë të përgatitur për të respektuar parimet dhe normat sociale. Ky është në esencë, qëllimi mbrapa masave dhe dënimeve alternative që po i trajtojmë”, tha Tahiri.

Ministri kërkoj nga gjyqtarët dhe prokurorët që në asnjë rrethanë mos të shqiptojnë dënime alternative për veprat e korrupsionit.

Ministri Tahiri ka theksuar se do të përkrah edhe më tutje gjyqtarët dhe prokurorët në këtë fushë edhe përmes Agjendës Drejtësia 2020 në kuadër të së cilës po mbahet edhe ky seminar.

“Kjo agjendë, në epiqendër të saj e ka përshpejtimin e reformave, zbatimin e tyre dhe fundin e tranzicionit të gjatë në drejtësinë tonë, me synimin e vetëm që qytetarët ta kenë një përvojë të re me sistemin e drejtësisë. Rruga nuk është e lehtë por absolutisht nuk është e pamundur dhe jemi shumë optimist se kjo agjendë do ta arrijë ta bëjë diferencën”, ka theksuar ministri Tahiri.

Ky seminar është organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe projekti i Binjakëzimit të BE- së, “Fuqizimi i mëtutjeshëm i Shërbimit Korrektues dhe Sprovues të Kosovës”.