Ministri i Drejtësisë kërkon nga Serbia të marrë përgjegjësi për personat e pagjetur

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka kërkuar nga ana e Serbisë që të marrë përgjegjësi në lidhje me personat e pagjetur.

Sipas Tahirit, “është e drejtë themelore e familjarëve për të ditur mbi fatin e më të afërmve të tyre dhe Republika e Serbisë ka përgjegjësi ndaj kësaj çështjeje”.

“Personat e zhdukur nga lufta në Kosovë janë plagë e rëndë jo vetëm për familjarët, por për gjithë shoqërinë tonë dhe kjo temë duhet të marrë një epilog. Në referencë të kërkesës sime drejtuar homologëve të vendeve të Bashkimit Evropian, për ta shtuar presionin ndaj Serbisë që t’i hapë arkivat dhe të japë çdo informacion në lidhje me fatin e personave të zhdukur, sot kam pranuar një letër nga ministrja e Drejtësisë e Francës, znj. Nicole Belloubet, përmes së cilës kam marrë mbështetje të plotë në kërkesën time”, ka shkruar Ministri Tahiri në rrjetin social në “Instagram”.

Në anën tjetër në rrjetin social “Facebook”, ministri Tahiri ka treguar se është takuar me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur Mattheë Holliday.

“Kosova vazhdon të përballet me çështjen e ndjeshme të personave të zhdukur nga lufta e fundit, numri i të cilëve është 1,658. Në takimin me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, z. Holliday, u zotova për të dinamizuar punën dhe bashkëpunimin e agjentëve përkatës, në mënyrë që kjo çështje të marrë një orientim të drejtë. Dëshiroj të shprehë përkushtimin tim se preokupimi i familjeve të personave të zhdukur, do të jetë edhe preokupim i imi personal dhe institucional”, ka shkruar Tahiri.