Ministri i Drejtësisë flet për dorëheqjen e prokurorit special Elez Blakajt

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri e ka komentuar dorëheqjen e prokurorit që merrej me rastin e ‘Listave të Veteranëve të UÇK-së’, Elez Blakaj.

Ai ka thënë se mediat kanë shkruar se i njëjti prokuror ka dhënë dorëheqje për shkak të kërcënimeve që i ka marrë.

“Në kohën kur të gjitha përpjekjet tona si institucione janë duke u orientuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, një mesazh i tillë është tërësisht i pa pranueshëm dhe meriton trajtim emergjent deri në fund”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në ‘Facebook’, duke shtuar se Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi parime ku sundimi i ligjit është mbi të gjithë, i barabartë për të gjithë dhe se askush nuk mund të ngritët mbi të e aq më pak të cenojë funksionimin e organeve të rendit për shkak të detyrës zyrtare në vendosjen e drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë ka shkruar edhe se në rast se konstatohen se arsyet e dorëheqjes së prokurorit, janë të natyrës përtej personales, duket të ketë një hetim të plotë.

“Konsideroj se një hetim i plotë rreth këtij rasti duhet të zë vend, për të parë se kush ka kërcënuar prokurorin dhe në rast se organet e pavarura të zbatimit të ligjit kanë ndërmarrë masat e nevojshme për të adresuar dhe rrënuar deri në fund çdo kërcënim të mundshëm ndaj tij, kurdo qoftë dhe nga kushdo qoftë”, ka shkruar tutje Tahiri.

Për Tahirin është e pa pranueshme që një prokuror i shtetit, për punën që bën, të bie nën presionin e kërcënimit dhe të zgjedhë dorëheqjen si alternativë.

“Krimi, korrupsioni, shmangia nga përgjegjësia dhe abuzimi në këtë vend, duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit, Kosovaka nevojë për prokurorë të zotë që për punën e tyre i japin llogari vetëm ligjit dhe askujt tjetër dhe të gjitha organet tjera kanë për obligim që t’i sigurojnë pacenueshmërinë e punës së tyre nga kushdo.

“Nuk do të lejojmë për asnjë çast që shteti ynë të duket shtet i brishtë dhe nuk do të tolerojmë askënd dhe asgjë që të jetë mbi ligjin. Ky rast, është po ashtu një ftesë për krerët e institucioneve të sistemit të drejtësisë për të pasur një koordinim më të ngushtë që adreson çdo defekt të sistemit, në mënyrë të përgjegjshme, të pa kompromis dhe të pa alternativë”, ka shkruar ai.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi për dorëheqjen e Elez Blakaj nga pozita e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës

https://kallxo.com/prokurori-qe-po-i-hetonte-listat-e-veteraneve-te-uck-se-jep-doreheqje/

Edhe Kryeprokurori Aleksandër Lumezi është deklaruar në lidhje me dorëheqjen e Blakajt.

https://kallxo.com/lumezi-flet-per-doreheqjen-e-prokurorit-elez-blakaj/