Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi - Foto: Facebook

Ministri i arsimit komenton rastin e zyrtares që dyshohet se vjedhi në Bruksel

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyçi është deklaruar sa i përket rastit ku një zyrtare e MASHT-it është kapur duke vjedhur në një prej dyqaneve në Bruksel.

Në emisionin ‘Frontal’, ministri Bytyçi ka thënë se ai ishte i pari që kishte marrë vesh për vjedhjen pasi që autoritetet e sigurisë e kishin lajmëruar në Aeroportin e Vienës.

“Fillimisht ne kishim një brengosje për një zyrtare tonë që ishte larguar nga delegacioni dhe delegacioni ishte duke u nisur për Kosovë dhe zyrtarja nuk kishte arritur ti bashkohet delegacionit dhe pastaj zyrtarët më kishin njoftuar për brengën që një zyrtarë nuk është lajmruar dhe nuk është kthyer në Kosovë dhe ne filluam vërtetë të shqetësohemi sepse kishim brenga se vërtetë kishte ndodhur diçka e rëndë”, tha Bytyçi.

Ai shtoi se në Vienë kanë marrë informatën se zyrtarja e MASHT-it, ishte kthyer në holet ku ishin duke qëndruar i gjithë delegacioni.

Sipas Bytyçit, pas konsultave me autoritetet në Bruksel, është njoftuar se zyrtarja është zënë në një ‘vepër jo të mirë’ siç ka theksuar ministri.

“Konsiderohet si një lloj vjedhje që është zënë në njërin nga lokalet në Bruksel. Kemi edhe deklaratën e zyrtares tonë e cila thotë,  jo nuk ka qenë një gjë e tillë nuk ka qenë tentativë për vjedhje por tentativë për të gjetur vendin e pagesës, ndërsa sipas raportit zyrtar del që ajo është quajtur vjedhje”, ka thënë ministri.

Sipas tij komisioni disiplinor e ka obligim që të merret me procedurat ligjore për një zyrtare civile dhe masa e cila mund të jetë është përjashtimi nga puna.

KALLXO.com ka raportuar gjatë javës së kaluar në lidhje me zyrtaren e MASHT-it për shkak të një vjedhje në Bruksel.

Pas kësaj ngjarje Ministri i Arsimit kishte vendosur ta suspendoj zyrtaren nga puna.

 

https://kallxo.com/pritet-vendimi-diciplinor-per-zyrtaren-e-masht-it-qe-dyshohet-per-vjedhje-ne-bruksel/