Profesori i emëruar në pozitën e anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Osman Ismaili

Ministri i Arsimit emëron Osman Ismaili anëtar të bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka emëruar profesorin Osman Ismaili në pozitën e anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Osman Ismaili është profesor i rregullt në pension, në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Profesori i sapoemëruar, Osman Ismaili ka mohuar që ende është i angazhuar në Universitetin e Prishtinës, ndërkohë që ka thënë për KALLXO.com se nuk mund të flasë rreth emërimit të tij, në pozitën e anëtarit të KSHC-së.

“Po, por unë nuk jam i autorizuar me folë, ju përshëndes për interesin. Mundeni me folë me kryetarin e bordit, ne të tjerët nuk jemi të autorizuar me folë”, ka thënë ai përmes telefonit.

Në listën e siguruar nga KALLXO.com, prej Rektoratit të UP-së, për profesorët në pension që vazhdojnë të jenë të angazhuar nëpër fakultete, gjendet edhe emri i profesorit Osman Ismaili, i cili aktualisht është 70 vjeç.

Ismaili do të zëvendësojë ish-anëtarin e këtij bordi, Xhavit Rexhaj, i cili kishte dhënë dorëheqje pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte vlerësuar se nuk mund të jap deklarata politike, derisa mbanë pozitën e anëtarit të KSHC-së.

Me këtë vendim, ky këshill është kompletuar sepse aktualisht është i përbërë prej tetë anëtarëve, nga të cilët pesë janë vendorë dhe tre ndërkombëtarë.

Sidoqoftë, përsëri mbetet që ky vendim të dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.

Vendimi për emërimin e Osman Ismailit, në pozitën e anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Këshilltari i ministrit Bytyqi, Valmir Gashi ka pohuar emërimin e profesorit Osman Ismaili.

“Po, konform ligjit në fuqi, tashmë është emëruar Dr. Sc. Osman Ismaili”, deklaroi Gashi për KALLXO.com.

MAShT ende s’ka filluar procedurat për zëvendësimin e anëtarit të dorëhequr nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë