Enver Hoxhaj, Zëvendës Kryeministër

Ministri Hoxhaj Pret Bashkëpunim me Boris Johnson

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se e ka uruar Sekretrin e ri të jashtëm të britanisë së Madhe, Boris Johnson, një figurë kontraverse që është emëruar në këtë pozitë pas ndryshimeve në qeverinë britanike.

Johnson, i cili më parë ka qenë edhe prefekt i Londrës, më parë ka bërë karrierë gazetari ndërsa njihet edhe si kundërshtues i bombardimeve të NATO-s të cilat i dhanë fund luftës në Kosovë në qershor të vitit 1999.

Hoxhaj tha të hënën se pret bashkëpunim të mirë me Sekretarin Johnson.

“Kam dërguar një letër urimi për sekretarin e jashtëm të Britanisë së Madhe. Britania është një vend i madh mbështetës i pavarësisë dhe lirisë së Kosovës, është një shtet i cili ka një peshë globale është një mik i madh i joni edhe bilateral edhe multilateral”, tha Hoxhaj

“Emërimi i z. Johnson është një lajm të cilin Kosova e mbështet. E kemi uruar zgjedhjen e tij dhe të qeverisë së re dhe besoj se do të kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë”, shtoi ai.

Komentet e Hoxhajt u bënë sot gjatë promovimit të vulës apostile e cila u vendos për herë të parë pas Aderimit së Republikës së Kosovës në Konventën e Hagës për Heqjen e Kërkesës së Legalizimit të Dokumenteve publike të huaja siç njihet ndryshe Konventa e Apostiles, si dhe pas aprovimit Ligjit për ratifikimin e Konventës për heqjen e kërkesës për legalizim të dokumenteve publike të huaja.

“Kjo ka qenë një betejë e madhe që Kosova të jetë pjesë e kësaj konvente është dashur që të sigurohen votat e shumë shteteve anëtare të kësaj konvente. Është dëshmia më e mirë që ne nuk bëmë përpjekje vetëm të anëtarësohemi në konventë dhe organizatën ndërkombëtare por bëmë përpjekje që ta ushtrojmë sovranitetin dhe ushtrimi I sovranitetit ka të bëjë më benificionet që qytetarët e Kosovës mund ti gëzojnë”, tha Hoxha.

Ai shtoi se Kosova do të aplikojë edhe në organizata e konventa të tjera në mënyrë që “të përmbushen të gjitha kërkesat qytetarëve të Kosovës”.

“Ne si Ministri e Jashtme kemi qëllim që të aplikojmë në çdo organizatë në çdo konventë, në çdo institucion multilateral vetëm atëherë kur këto institucione multilaterale i përmbushin kërkesat e qytetarëve të Kosovës”, tha Hoxhaj.