Foto: Ilustrim

Ministri Hamza kërkon që të hiqet tatimi doganor për importin e kafshëve

Ministria e Financave ka njoftuar se të premten në Qeverinë e Kosovës ministri Bedri Hamza ka vazhduar me kërkesën për lirim nga tatimi doganor për shtazët të cilat importohen në vendin tonë.

Gjatë analizave në Ministrinë e Financave është konstatuar se edhe në sektorin e bujqësisë përkatësisht te blegtoria, importimi i kafshëve duhet liruar nga tatimi doganor me qëllim që t’u mundësohet të gjithë qytetarëve dhe fermerëve që me kosto sa më të ulët të kenë  mundësi të importojnë  kafshë në vendin tonë me qëllim të zgjerim të kapaciteteve të tyre prodhuese.

“Po ashtu, ministri Hamza informoi Qeverinë se përveç lirimit nga tatimi doganor të kafshëve për disa kategori që e lejon Ligji i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në fuqi, do të marrë vendim për ta ulur Tatimin e Vlerës së Shtuar nga shkalla 18 % sa është sot në shkallën e ulët 8 %, prapë me të vetmin qëllim që të ndihmojmë qytetarët tanë dhe fermerët që të importojnë kafshë në vendin tonë me kosto sa më të ulët”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Në njoftim citohet ministri Hamza të ketë thënë se nuk do të ketë rritje të tatimeve ekzistuese dhe nuk do të ketë tatime të reja për qytetarët dhe bizneset në Kosovë, por do të ketë lirime dhe thjeshtëzim të procedurave.

Ministria e Financave nga fillimi i vitit 2018, në çdo tre muaj të vitit ka marrë vendim për lirim nga tatimi doganor dhe tatimi i akcizës për bizneset prodhuese në Kosovë.

“Këto lirime kanë të bëjnë me lëndën e parë, gjysmë produktet, linjat e prodhimit, pajisjet e TI-së, lëndët ndihmëse të cilat marrin pjesë në procesin e prodhimit dhe pjesët rezervë për linjat e prodhimit”, vazhdon njoftimi.

Në njoftim potencohet se janë marrë një varg reformash fiskale në Tatimin e Vlerës së Shtuar, ku përmes Ligjit i cili është në Parlamentin e Kosovës do të lirohen nga Tatimi i Vlerës së Shtuar lënda e parë që prodhohet në vendin tonë për prodhues, do të thjeshtëzohen procedurat e kthimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe çka do të ndodhë për herë të parë në vendet e rajonit tonë, fillimi i mbledhjes së TVSH-së nga kufiri në import në brendi të vendit.