Ministri Gashi takon grupin punës për projektligjin ligjit për teatrot

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka takuar të enjten grupin punes për hartimin e Ligjit të ri për teatrot, i cili po shihet si një shpëtim për teatrot profesioniste publike të qyteteve, të cilat po kalojnë një krizë të thellë financiare.

Për mes një komunikate për media, MKRS njofton se ministri Gashi së bashku me grupin punues kanë diskutuar për rrjedhën e procesit, përmbajtjen që do të ketë ligji, ndikimi që do të ketë ai në përmirësimin dhe funksionimin e teatrove nëpër qytetet e Kosovës.

Sipas komunikatës Ministri Gashi ka ofruar mbështetje të plotë për grupin punues në hartimin e ligjit, i cili do të funksionalizojë teatrot e qyteteve, ku komunave do tu mundësohet ndarja e mjeteve të nevojshme për teatrot e tyre si dhe angazhimin e aktorëve në këto teatro.

“Me këtë ligj fuqizohen teatrot nëpër qytetet e Republikës së Kosovës si dhe do të ketë një angazhim më të madh të aktorëve të qyteteve përkatëse nëpër këto institucione të kulturës”, ka pohuar ministri.

Ndërsa në një prononcim për Kallxo.com, Fatmir Hyseni, kryetar i Asociacionit të Teatrove Publike të Kosovës, dhe drejtor i Teatrit “Ardiana Abdullahu” të Qytetit të  Ferizajt, ka pohuar se gjatë takimit të sotëm të grupit punues, ndër të tjera është kërkuar që teatrot komunale të kenë kode buxhetore.

“Kemi ardhur në përfundim që patjetër teatrot e qyteteve të kenë një kod buxhetor, dhe se shtatë teatrot që kanë pasur një veprimtari teatrore goxha të gjatë të mos rithemelohen dhe të vazhdohet puna e tyre, por çështja e financave të zgjidhet njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Hyseni.

Hyseni ka thënë se do të insistohet që ky projektligj të miratohet para rishikimit të buxhetit të këtij viti me qëllim që më që pas teatrot të përftojnë financim të rregullt.