Ministri i Financave Flet për Pagat e Shërbyesve Civilë

Ministri i Financave Bedri Hamza tha sot se rritja e pagave për shërbyesit civil do të bëhet në baza të produktivitetit.

Hamza këtë deklaratë e ka bërë pas takimit që kishte me udhëheqësin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Jacques Miniane, ku u tha se buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm do të jetë mbi 2 milardë.

Pas takimit, ministri Hamza nuk ka përmendur përqindje se sa do t’iu rritet pagat por tha se nuk bënë vetëm të marrin duhet edhe të japin.

Hamza ka qenë i paqartë kur është pyetur për skemat sociale dhe për pagesat e veteranëve të luftës.

Sipas tij, fondet janë siguruar, mirëpo pret nga ministrat e linjës dhe komisioni që të bëjë kategorizimin e tyre.

“Sa i përket çështjes së pagesave për kategoritë e dala nga lufta, ligji bazik e rregullon këtë çështje…Është neni 16 a pika 2, ku kërkon që me bërë rikategorizimin e veteranëve të luftës, mirëpo një pikë më poshtë e të njëjtit nen thotë se derisa të kryhet kategorizimi i kësaj pjese vazhdohet në respektimin e ligjit bazik…”, tha Hazma.

Ndërsa te çështja e rritjes së pagave të sektori publik, Hamza ka bërë të qartë që rritja të reflektojë në rritje të produktivitetit.

E po ashtu ka thënë se projektet kaliptale, ndërtimi i rrugëve për Pejë e Mitrovicë, do të bëhen në momentin kur përfundojnë projektet ekzistuese.

“Rritja e pagave dëshiroj me bërë të qartë që duhet të reflektojë edhe në rritjen e produktivitetit, rritjen e disiplinës edhe ngritjen e kapaciteteve. Nuk mjafton veç me kërkua rritje të pagave, nuk mjafton veç me marrë por duhet me dhënë…. Ne brenda hapësirës ekzistuese në moment kur të përfundohen projektet ekzistuese ne do t’i shtojmë projektet e reja që janë prioritet i Qeverisë”, tha Hamza.

Përfaqësuesi i misionit të FMN-së, Ndërsa Jacques Miniane ka thënë se sa i përket shpenzimeve, e këto nuk do ta rrezikojnë buxhetin e shtetit dhe pavarësisht rritjes së këtyre shpenzimeve, FMN beson se deficiti i buxhetit do të qëndrojë ashtu siç ka qenë në buxhetin origjinal.

Ai tha se është i sigurt se vitin e ardhshëm, alokimi i buxhetit do të reflektojë mbi numrin e veteranëve të luftës dhe pensionistëve dhe përkundër alokimeve, FMN beson se këto mund të vendosen brenda rregullit fiskal.

Gjithashtu, ai theksoi se njëra ndër parimet për të cilat FMN-ja dhe autoritetet kosovarë ranë dakord është kontrolli i shpenzimeve aktuale, duke shtuar se prioriteti i  FMN-së është për të ruajtur ndarjen e buxhetit për shpenzimet prioritare në fusha siç janë arsimimi, energjia dhe investimet infrastrukturore. Ai tha se rritja ekonomike e menjëhershme e cila më pas do të qëndrojë e ngrirë nuk është e mirë për një shtet.

“Ajo çka është ideale, është që pagat të rriten rregullisht, por të arsyeshme dhe të qëndrueshme për tendencat ekonomike dhe kjo është synimi i rregullave reale të pagave që u miratuan në program. Në lidhje me pyetjen tuaj mbi rritjen ekonomike, ne kemi rishikuar rritjen reale të PBB-së nga rreth 3 dhe gjysmë deri në 4 për qind, për këtë vit dhe për vitin e ardhshëm“, tha Miniane. Kur u pyet se pse misioni i  FMN-së ka dështuar, ai tha se sa i përket kësaj çështje, ai duhet të përmirësojë një perceptim të gabuar, duke thënë se programi i FMN-së nuk dështoi.