Ministri Endrit Shala premton përmirësimin e pozitës së konsumatorit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, ka thënë se ministria që ai e udhëheq është e zotuar që të vazhdojë të përmisojë pozitën e konsumatorit.

Ai këto deklarata i ka bërë për Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit.

“Dua të theksoj që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, është e zotuar që të vazhdojë të përmirësojë pozitën e konsumatorit, gjithashtu përmes përditësimit të legjislacioneve, si dhe ngritjes së bashkëpunimit me të gjitha organet përgjegjëse që rregullojnë ofrimin e shërbimeve financiare. Prandaj për të drejtat e konsumatorit si obligim ligjor dhe moral , një rol mjaft të rëndësishëm paraqet edhe adresimi i mirëfilltë i shqetësimeve të konsumatorëve në relacion me shërbime financiare”, tha Shala.

Sipas Shalës, edhe kur behet fjalë për shërbimet financiare, konsumatori duhet të jetë i mbrojtur dhe duhet të ekzistojnë mekanizmat mbrojtës.

“Sidomos pasur parasysh sferën e veprimtarisë, ku kompetencat përfshijnë fushë shumë disiplinore, si bankat, unionet e kreditit, huadhënësit e pagave, operacionet hipotekare, mbledhësit e borxheve apo kompanitë e tjera financiare që veprojnë në Kosovë.  Pra kjo tregon se sa i rrezikuar është konsumatori, në qoftë se nuk do të ekzistonin autoritet për mbrojtjen e tyre”, ka thënë ndër të tjera ministri Shala.