Abelard Tahiri dhe Ruari O'Connell. Foto: MD

Ministria e Drejtësisë, memorandum me britanikët për reformat në drejtësi

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri nënshkroi Memorandum me Ambasadorin britanik Ruari O’Connell për mbështetjen e reformave në drejtësi.

Tahiri dhe O’Connell nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi për mbështetjen e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Sipas komunikatës së MD-së, ministri Tahiri theksoi se faza e parë e kësaj reforme është përmbyllur, dhe pritet që edhe Strategjia e Rishikimit Funksional të jetë e gatshme në qershorin e vitit të ardhshëm.

Me Memorandumin e ri, Ambasada Britanike do të mbështes me ekspertë këtë reformë, konkretisht Shtyllën e Funksionimit të Gjyqësorit.

“Edhe kjo Strategji synon fuqizimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, synon fuqizimin dhe pavarësinë e gjyqësorit, ngritjen e kapaciteteve dhe padyshim që lidhet ngushtë edhe me Agjendën që e lansuam dje “Drejtësia 2020”, ku qëllim është që në vitin 2020 ta kemi një sistem të drejtësisë i cili nuk ballafaqohet me sfida dhe probleme që është duke u ballafaquar tani”, ka thënë Tahiri.

Ambasadori ka theksuar se mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin, terrorizmin e radikalizmin, është duke pasur strukturën e duhur, vullnetin e plotë politik dhe përkrahjen e fuqishme sektori i sundimit të ligjit. Sipas tij, kosovarët duhet që të tregojnë sërish trimërinë që e kanë treguar në luftë.

“Ka ardhur koha që Kosova të jetë dhe të ndihet, që është shumë e rëndësishme, e përgjegjshme për sundimin e ligjit në Kosovë”,  ka thënë O’Connell.