Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë. Foto: Facebook

Ministri i Drejtësisë Dënon Vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka dënuar vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Ai përmes një njoftimi ka thënë se asgjë nuk mund ta arsyetojë dhunën dhe veprat penale.

“Akti i vrasjes së politikanit serb nga Kosova, z. Oliver Ivanoviq, është absolutisht i papranueshëm dhe i pa tolerueshëm për shoqërinë tonë, prandaj, veprime të tilla meritojnë një përgjigjeje të menjëhershme”, thuhet në njoftimin e MD-së.

Tahiri kërkon nga institucionet përgjegjëse të zbardhin rastin e vrasjes së Ivanoviqit.

“Të gjitha institucionet përgjegjëse që sigurojnë rendin dhe ligjin duhet të veprojnë dhe të jenë të pa kompromis në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përgjegjësit e këtij akti të përballën me drejtësinë”, thuhet më tutje në njoftim.

Sipas njoftimit, Tahiri ka kërkuar nga autoritetet përkatëse që në përputhje me kompetencat dhe detyrimet ligjore të realizojnë, hetime gjithëpërfshirëse ndaj këtij akti ‘të tmerrshëm, me qëllim që ky rast të ndriçohet sa më parë dhe autorët përgjegjës të marrin dënimin e merituar sipas ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës’.

Po ashtu në njoftim kërkohet nga qytetarët që posedojnë informata, të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe ligjit në mënyrë që të zbardhet ky rast dhe autorët përgjegjës të marrin dënimin e merituar.

Oliver Ivanoviqi, vdiq sot pasi u sulmua me pesë plumba para zyrës së tij në Veri të Mitrovicës.

Policia në disa njoftime ka thënë se kanë gjetur prova të cilat lidhen me vrasjen e Ivanoviqit.