Takimi i ministrit me kryeshefin e ujësjellësit | Foto: Ministria e Kulturës

Ministri dhe Drejtori i Ujësjellësit Flasin për Ujin në Teatër dhe Bibliotekë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi ka takuar sot kryeshefin ekzekutiv të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” , Ilir Abdullahun.

Në këtë takim u diskutua për problemet e fundit të cilat janë përballur teatri i qytetit dhe Biblioteka Kombëtare.

Ministri Gashi ka kërkuar nga drejtuesit e kompanisë së ujësjellësit që së bashku të zhvillojnë një projekt për eliminimin e rrezikut që shkakton depërtimi i ujërave në këto dy institucione kombëtare të kulturës.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet e përkushtuar që të ndajë buxhet shtesë për zgjidhjen e kësaj problematike”, u shpreh ministri Gashi.

Ndërsa Ilir Abdullahu nga Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”  shfaqi gatishmërinë dhe mbështetjen e plotë që bashkërisht me institucionet, ministrinë dhe komunën t’i koordinojnë veprimet dhe të sanojnë gjendjen e tanishme.

Palët gjithashtu presin veprime konkrete edhe nga ana e Komunës së Prishtinës që të bashkëpunojë për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Dje ministri Gashi vizitoi Bibliotekën dhe Teatrin Kombëtar, ndërsa premtoi riparim të rrjedhjeve të ujit në këto institucione.

http://kallxo.com/ministri-premton-riparimin-e-rrjedhjeve-ne-biblioteke-dhe-teater/