Flamur Sefaj, ministër i Punëve të Brendshme. Foto: Facebook

Ministri: Çështja e Pasaportave e Mbyllur, Kursyem 650 Mijë Euro

Në kohën e pyetjeve parlamentare, deputeti Islam Pacolli i shtroi pyetje ministrit të brendshëm Flamur Sefaj rreth arbitrazhit me kompaninë austriake OeSD rreth pasaportave diplomatike.

Pacolli kërkoi të dijë se çfarë ka ndodhur rreth arbitrazhit nga i cili Kosova u obligua t’ia paguajë gati 6 milionë euro kompanisë austriake për ndërprerjen e kontratës rreth pasaportave biometrike.

Deputeti përmendi një vendim të qeverisë me të cilin ministri Sefaj ishte autorizuar për të ndërmarrë veprime rreth çështjes së pasaportave.

Duke iu përgjigjur deputetit të AKR-së, Ministri sefaj tregoi në fillim se Kosova e kishte humbur rastin me OeSD-në në arbitrazh.

“Kam qenë i autorizuar nga Kryeministri që ta trajtoj dhe mbylli çështjen, kemi humb kauzën në arbitazh dhe i kemi pasë borxh kompanisë 5 milion e 600 mijë euro për pagesë”, tha ministri Sefaj.

Ai më tutje tregoi se e rinegocioi me kompaninë çështjen e këtij borxhi dhe tha se arriti ta zvogëlojë atë.

“Kam marrë të drejtën që ta tajtoj edhe njëherë çmimin me kompaninë e cila ka bërë furnizimin dhe pas punës dy ditë nga 12 orë, së bashku me stafin e ministrisë kemi arritur që të arrijmë në 4 milionë e 950 mijë euro që ta mbyllim këtë çështje”, tha Sefaj.

Ai tregoi se janë zhbllokuar me këtë marrëveshje edhe 15 milionë euro të Kosovës në bankat austriake.

“Kusht për ta paguar këtë shifër ka qenë edhe zhbllokimi i 15 milionë eurove të Kosovës të bllokuara nga bankat e Austrisë. Kjo çështje është mbyllë, i kemi kursyer 650 mijë euro e i kemi zhbllokuar 15 milionë dhe BQK ka marrë pronësinë e kontos”, tha ministri.

Ai tha se paratë e kursyera u janë dhënë pjesëtarëve të policisë për fundvit.

Në lidhje me skandalin e pasaportave në Kosovë u zhvillua një proces gjyqësor në të cilin ndërmjetësuesja mes kompanisë OeSd dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme Natali Veliaj në vitin 2014 u dënua me 12 vjet burg.

12 Vjet Burg për Natali Veliajn