Ministri Bytyqi premton studime pa pagesë në Republikën e Çekisë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, sot ka premtuar se së shpejti të rinjtë kosovarë do të mund të studiojnë pa pagesë në Republikën e Çekisë.

Përmes llogarisë së tij, në rrjetin social Facebook, Bytyqi ka deklaruar se ka pritur në takim drejtuesin kryesor të CERGE-EI në Pragë të Çekisë, Randall K. Filer, me të cilin kishte diskutuar rreth arsimit të lartë në Kosovë.

“Lajmi më i mirë është se shumë shpejtë do të nënshkruhet një Marrëveshje Bashkëpunimi, përmes të cilës do të ju mundësonim studentëve nga Kosova studime pa pagesë Master dhe PhD, në fushën e ekonomisë në Republikën e Çekisë”, ka thënë Bytyqi.

Tutje ai ka sqaruar se Qendra për kërkime ekonomike dhe pasuniversitare – Instituti i Ekonomisë, i njohur si CERGE-EI, është institucion akademik në Pragë, i specializuar vetëm për fushën e ekonomisë.