Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, drejtori i operacioneve në Policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti dhe zëvendëskryetari i Kolegjiumit të Drejtorive Komunale të Arsimit, Blerim Thaqi

Ministri Bytyqi paralajmëron shtim të patrullave policore në shkolla dhe kontrollim të nxënësve

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka bërë të ditur se për shkaqe të sigurisë do të shtohen patrullat policore në shkolla dhe do t’u bëhet kontrollë rutinore nxënësve, nga ana e drejtorëve të shkollave.

Ministri Bytyqi ka treguar se në kuadër të angazhimeve për gjetjen e një zgjidhjeje për shtimin e sigurisë në shkolla, sot është takuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, drejtorin e operacioneve në Policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti dhe zëvendëskryetarin e Kolegjiumit të Drejtorive Komunale të Arsimit, Blerim Thaqi.

Përmes rrjetit social Facebook, Bytyqi ka shkruar se pas diskutimeve në lidhje me aktet e dhunës në shkolla, të raportuara kohëve të fundit, ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithë këtyre akterëve relevantë për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për eliminimin e kësaj dukurie.

“Pas shumë diskutimeve rreth marrjes së përgjegjësive nga përfaqësuesit e institucioneve të arsimit dhe sigurisë, kemi ardhur në përfundim që, zgjidhje afatshkurtër deri në përfundim të vitit shkollor, të jetë shtimi patrullave policore në shkolla dhe hartimi i planit për kontroll rutinore të nxënësve nga drejtorët e shkollave, për të cilin plan policia duhet të njoftohet përmes DKA-ve.”, ka shkruar ministri.

Ai tutje ka treguar se gjatë këtij takimi vendosën që pas përfundimit të vitit shkollor, të bëhet krijimi i një Task Force për parandalimin e përdorimit të narkotikëve dhe shtimin e sigurisë në shkolla.

“Në këtë takim, po ashtu kam ftuar Drejtoritë Komunale të Arsimit që të kërkojnë nga drejtorët e shkollave të mbajnë mbledhje urgjente me prindër, për të diskutuar sigurinë në shkolla dhe planet për ta përmirësuar atë dhe të kërkohet nga drejtorët e shkollave të raportohen të gjitha rastet e dhunës apo incidentet në polici.”, ka shtuar më tej ministri Bytyqi.