Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi - Foto: Facebook

Ministri Bytyqi: Kolegji ISPE po më bën shantazh

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, e ka cilësuar të tipit të shantazhit një letër që kolegji ISPE ia ka drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj dhe institucioneve të tjera, në të cilin ky kolegj pretendon se i është bërë e padrejtë nga ministri lidhur me mosakreditimin e tij.

“Vlerësoj se kjo letër është e tipit të shantazhit, në mënyrë që të bëhet presion direkt në institucionet shtetërore. Nuk është i sotëm presioni që ky kolegj bën ndaj institucionit tonë”, ka thënë ministri Bytyqi në një konferencë për media.

Ai tha se ka pasur në vazhdimësi presione që në mënyrë të padrejtë të akreditohen programet, gjegjësisht të ndikohet në Këshillin Shtetëror të Cilësisë për akreditimin e programeve të këtij institucioni.

Ministri tha se ka kërkuar vazhdimisht Këshilli Shtetëror i Cilësisë që të respektohet ligji dhe procedurat dhe të jetë profesional në vendimmarrje, gjë që edhe ka ndodhur me vendimet e marra deri më tani.

“Vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë janë vendime të pavarura nga ministri, dhe nuk mundem unë si ministër të ndikojë në vendimmarrjen e këtij Këshilli”, ka shtuar ministri i Arsimit.

Bytyqi i bëri thirrje çdo institucioni që pretendon se ka pasur lëshime nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë që të orientohen te organet kompetente, duke shtuar se “porse në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë askënd që të bëjë presione dhe shantazhe dhe si pasojë të kemi institucione joligjore që nuk i respektojnë ligjet dhe kriteret”.

Ai tha se edhe kolegjit ISPE i bën thirrje që të angazhohet në drejtimin e plotësimin e kushteve që parashihen me ligj dhe mos të bëjë presion as ndaj Ministrisë, e as ndaj Këshillit.

“Besoj se KSHC nuk do të bie pre e këtyre manovrimeve për qëllime dhe përfitime personale”, ka shtuar Shyqiri Bytyqi.