Ministri Britanik, Vizitë në KALLXO.com

Ministri i Britanisë së Madhe për Europë dhe Amerikë, Alan Duncan, qëndroi të mërkurën në KALLXO.com gjatë vizitës zyrtare që po i bën Kosovës.

Ministri ka vizituar zyrat e BIRN dhe Internews Kosova ku është njoftuar me punën dhe realizimin e produkteve të këtyre organizatave.

Duncan, i shoqëruar nga Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell dhe delegacioni tij nga Londra, ka ecur nëpër mjediset e BIRN dhe Internews Kosova për t’u njohur me kushtet e punës në KALLXO.com si platformë efikase në angazhimin e shoqërisë në luftë kundër korrupsionit dhe keqpërdorimeve të natyrave të ndryshme të pozitës dhe parasë publike.

Në takim me drejtorin e Internews Kosova, Faik Ispahiu, ministri Duncan ka diskutuar edhe për çështje të aktualitetit në vend përfshirë sundimin e ligjit, aktualitetin politik dhe sfidat me të cilat përballet vendi.

Ispahiu e ka njoftuar ministrin për projektet 12 vjeçare të organizatave në hulumtime mediale dhe të monitorimit.

Gjatë takimit janë diskutuar edhe problemet me të cilat përballet komuniteti i gazetareve përfshirë kërcënimet dhe presionet ndaj gazetarëve si dhe trajtimin e lajmeve të rreme e atyre të porositura.

Në vizitën që i ka bërë Kosovës, ministri Alan Duncan është takuar edhe me drejtuesit e institucioneve të vendit, Presidentin Hashim Thaçi e kryeministrin Ramush Haradinaj.