Ministri i Mbrojtjes i Britanisë, Gavin Williamson - Foto: REL/EPA-EFE

Ministri britanik: Veprimet ‘e papranueshme’ të Rusisë kanë kosto

Ministri i Mbrojtjes i Britanisë, Gavin Williamson, tha se vendi i tij duhet t’i forcojë kapacitetet ushtarake pasi të dalë nga Bashkimi Evropian dhe paralajmëroi se Rusia duhet të jetë e vetëdijshme se veprimet që konsiderohen të papranueshme nga Perëndimi “kanë kosto”.

Duke folur të hënën në Institutin Mbretëror të Londrës, Williamson theksoi rëndësinë e lidhjeve të ngushta ushtarake midis Uashingtonit dhe Londrës.

Ai po ashtu i dha mbështetje thirrjes së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për vendet e NATO-së, që t’i rrisin shpenzimet ushtarake përballë, siç tha, provokimeve ruse.

Marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Moskës janë të tensionuara për një varg çështjesh, përfshirë aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia dhe ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

“Veprimet e tilla nga Rusia duhet të kenë një kosto”, tha Williamson.

Britania duhet të largohet nga Bashkimi Evropian në fund të marsit, edhe pse lufta e brendshme politike ka shkaktuar paqartësi se çfarë mund të ndodhë pas. (REL)