FOTO: RTK

Ministri britanik: Kemi kërkuar që të suspendohet taksa

Ministri britanik për Evropë, Alan Duncan, është deklaruar se taksa ndaj produkteve serbe dhe të Bosnjës duhet të pezullohet. Këto deklarime ministri nga Mbretëria e Bashkuar i ka bërë gjatë diskutimit të djeshëm në në Parlamentin e këtij vendi.

“E kemi parë Serbinë duke i nxitur shtetet që ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe e kemi parë Kosovën duke i vendosur tarifa 100 përqindëshe mallrave serbe dhe atyre nga Bosnja e Hercegovina. E gjithë kjo e heq mendjen nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve” ka thënë Duncan.

Tutje ministri britanik ka thënë se është i nevojshëm progresi në dialogun në mes Kosovës dhe Serisë pas marrëveshjes së arritur nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia.

“Ne dëshirojmë që Kosova dhe Serbia ta kapin mundësinë për marrëveshje, duke u inspiruar nga lidershipi i Greqisë dhe asaj çfarë tani është Maqedonia e Veriut në arritjen e marrëveshjes për ta zgjidhur çështjen e shumë zgjatur të emrit. Ne besojmë se progresi në mes të Serbisë dhe Kosovës është i mundur dhe urgjentisht i nevojshëm, por se negociatat nuk duhet të jenë rreth shpejtësisë, por duhet të fokusohen në arritjen e marrëveshjes më të qëndrueshme dhe optimale” tha ai.

Diplomati nga Britania e Madhe tha se shteti i tij ka kërkuar që të pezullohet taksa aktuale 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovine.

“Ne vazhdojmë të bëjmë presion mbi të dy palët për de-eskalim të tensioneve dhe kthim në negociata. Me partnerët ndërkombëtarë, ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i vendosë hapat të cilat kanë ndërmend t’i marrin për suspendim të tarifave dhe për kthim në dialog. Është në interes të Kosovës që ta mbajë momentumin drejtë një marrëveshjeje” tha ai gjatë diskutimit në Parlamentin e Britanisë së Madhe.