Ministri Bajrami Falënderon KALLXO.com për Testin e Maturës

Sot në orën 10:00, ka filluar testi i maturës në tërë Republikën e Kosovës dhe këtij testi do t’i nënshtrohen mbi 32 mijë maturantë të cilët do të monitorohen nga mbi 3 mijë monitorues në mbi 1 mijë e 800 klasë.

Kështu ka thënë sot Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, gjatë vizitës që e ka bërë në shkollën “Xhevdet Doda”, në Prishtinë.

Sipas Bajramit, janë marrë gjitha veprimet e nevojshme, që testi të filloj me kohë dhe janë mobilizuar ministria dhe drejtoritë komunale.

“Testi i sivjetmë i maturës është i lehtësuar sepse ka hyrë në fuqi ligji për maturën shtetërore dhe ofron mjaftë lehtësira sepse të gjithë nxënësit e shkollave të mesme janë pajisur dhe do të pajisen me diploma pa marrë parasysh rezultatin e testit. Vetëm maturantet që kanë planifikim të shkojnë në arsimin e lartë duhet ta kalojnë testin që e kemi ul testin në një prag të arsyeshëm në 40 për qind.

Gjithashtu, shkollën “Xhevdet Doda”, e ka vizituar edhe drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci.

Ajo tha se në Komunën e Prishtinës janë bërë gjitha përgatitjet që provimi i maturës të organizohet dhe të administrohet ashtu siç është paraparë.

“Sot këtij provimi në komunën e Prishtinës iu kanë nënshtruar 4 mijë e 975 maturant. Në 22 shkolla po zhvillohet provimi. Të gjithë administruesit kanë ardhur me kohë. Sipas raporteve që i kemi ka fillu të mbahet testi prej orës 10 ashtu siç ishte paraparë”, tha Nagavci.

Ndërkaq, drejtori i shkollës, “Xhevdet Doda”, Azem Jaha, tha se në këtë qendër testi ka filluar me kohë dhe përveç një nxënës i cili ka nevojë për mbështetës shkaku që ka probleme me shikim, nuk ka pasur ndonjë problem.

“Nga shkolla jonë urojmë të maturojnë këtë vit 507 maturant, ndërsa janë 12 maturant të cilët vite më parë kanë mbet dhe janë të sistemuar gjithashtu dhe besoj që kësaj radhe edhe ata t’ia dalin”, tha ai.

Në këtë qendër, mediat u penguan që të marrin pamje nëpër klasë, Ministri Bajrami ka falënderuar KALLXO.com, që po i evidenton parregullsitë dhe që po bëhet sipas tij një partner i mirë i MASHT-it.

“Falënderoj shumë KALLXO.com që po bëhet një partner i mirë i ministrisë së Arsimit dhe po na ndihmon shumë me evitimin e secilësdo parregullsi. Unë ftoj edhe gazetarë tjerë, gjitha televizionet e Kosovës mediat tjera elektronike që të raportojnë cilëndo parregullsi por i ftoj për korrektësi që mos të krijojnë panik sepse disa raste të izolime që do të paraqiten nuk mund ta prishin imazhin”, tha ai.

Ndërsa, drejtori ka kërkuar që nëpër klasë mos të shqetësohen nxënësit të cilët janë duke e mbajtur testin.

Ndryshe, KALLXO.com për të tretin vit rresht po e monitoron Testin e Maturës me monitorues të shpërndarë nëpër qendrat e testimit në shkollat e Kosovës.