Ministri Bajrami-Bursa për Studentë dhe Thirrje për Cilësi

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami u ndau sot bursa 732 studentëve të universiteteve publike të Kosovës.

Bursa për një student ka vlerën 450 euro për një vit.

“Mund ta bëjmë shtetin tonë shtet krenar, të fuqishëm, sepse kemi një rini të shkëlqyeshme dhe keni një mision historik dhe keni për mision zhvillimin e vendit dhe integrimin në familje evropiane. Ju studentë nesër do të jeni liderë të Kosovës,” tha Bajrami.

Albana Uka, studentja e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, njëra nga përfitueset e bursës tregoi rëndësinë që ka për të kjo ndihmesë.

“Kjo ndarje e bursave të MAShT-it besoj se ka një rëndësi të veçantë, sepse tregon që ministria ka një kujdes për studentët e dalluar dhe në një lloj forme po shpërblen mundin tonë,” tha ajo.

Bajrami apeloi  te  të gjithë të përfshirët që të punojnë në zhvillimin e arsimit sa më cilësor në Kosovë.

“Një arsim cilësor, një shkollë cilësore dhe universitet cilësor, krijon familje të forta, të cilat krijojnë mirëqenie, e kjo krijon një shoqëri demokratike, e që në fund kjo rezulton me më një shtet të fortë,” porositi Bajrami.

Ministri Bajrami tha se universiteti nuk guxon të degradohet.

“Urojmë që viti 2016 të jetë vit i stabilitetit të përgjithshëm në Universitet të Prishtinës, do të gëzohemi shumë nëse këto zgjedhje do të sjellin një gjeneratë të re, të udhëheqësve të rinj,” tha Bajrami.

Zgjedhjet në të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës janë caktuar në pranverën e vitit 2016.