Konferenca m Hamza Miniane | Foto: KALLXO.com

Miniane: Buxheti të Shpenzohet në Edukim e Energji

Jascues Miniane nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në përfundim të misionit të tij në Kosovë porositi qeverinë që buxhetin ta fokusojnë më shumë në edukim, energji dhe investime në infrastrukturë.

Ne shpesh i rekomandojmë ministrit që buxheti të shpenzohet në mënyrë kredibile, ne rekomandojmë që buxheti të shpenzohet në gjëra me prioritet siç është edukimi, energjia dhe investimet infrastrukturore” tha Miniane

Miniane theksoi se për mbushjen e buxhetit, tatimet nuk duhet të jenë objektiv,  por buxheti duhet të bazohet në të ardhurat e besueshme tatimore.

“Më lejoni të ju them se është e nevojshme që buxheti duhet të vazhdojë të bazohet në të ardhurat e besueshme tatimore, e jo të ardhurat tatimore të jenë objektiv për mbushjen e buxhetit”, tha Miniane

Miniane po ashtu theksoi se sektori bankar në Kosovë është më i qëndrueshëm nëse e krahasojmë me vendet e rajonit dhe kjo mundëson një stabilitet më të mirë ekonomik.

Ministri Bedri Hamza falënderoi për ndihmën e vazhdueshme të FMN-së që i ka ofruar Kosovës duke theksuar prioritetet e investimeve të cilat do të ndodhin gjatë viteve të ardhshme.

“Ne e falënderojmë në vazhdimësi FMN për përkrahje të vazhdueshme, sa u përket investimeve, deri në këtë moment ne mund të flasim për investimet në hekurudhat e Kosovës, zgjerimin e nyjave rrugore infrastrukturore që janë kontrata të marrëveshjeve të ratifikuara, si dhe projektet tjera që kanë financim të sigurt dhe të qëndrueshëm”, tha Hamza.

Ministri foli edhe për skemat sociale por deklaroi se për to duhet bërë analizë.

“Sa u përket çështjeve tjera si ato të skemave sociale ne duhet të bëjmë një analizë për të parë rritjen natyrore të këtyre skemave”, tha Hamza.

Ministri përmendi edhe pagesat e pensioneve të veteranëve të luftës që i patën marrë vetëm pjesërisht pagat e gushtit.

“Sa u përket çështjeve për kategoritë e dala nga lufta, ligji bazik e rregullon këtë çështje, është neni që kërkon rikategorizimin e përfituesve të kësaj kategorie, por neni tjetër thotë se deri sa nuk kryhet ky kategorizim vazhdohet me respektimin e ligjit bazik dhe përderisa ekziston ky ligj ne duhet ta respektojmë edhe në vitin 2018, por ne besojmë se ministria e linjës, komisioni përkatës do ta kryejnë punën dhe do ta mbyllim këtë proces”, tha Hamza.

Sikurse Hamza edhe Miniane theksoi se nuk pajtohet për shpenzimet që shkojnë për pagesën e kategorisë së veteranëve të luftës që është një çështje e vjetër, por ligji është ligj dhe duhet respektuar.

Ministri Hamza po ashtu theksoi se nëse bëhet rritja e pagave do të shtohet edhe produktiviteti në punë dhe qeveria do të ketë një administrate më stabile dhe më profesionale.

“Mos u mësoni vetëm me kërku, po duhet të mësoheni edhe të jepni, nëse bëhet rritja e pagave do të shtohet edhe produktiviteti në punë do të kemi një administrate më stabile dhe më profesionale”, tha Hamza

FMN do të vazhdojë të përkrahë Kosovën edhe në të ardhmen. Ministri Hamza do të udhëtojë për në SHBA për të analizuar projektet buxhetore për Kosovën.