Minatorët e Artanës në fund të vitit bëhen me kuzhinë dhe mensë të re

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka nënshkruar marrëveshjen për financimin e kuzhinës dhe mensës për minatorët e minierës së Artanës.

Lluka ka thënë se në korrik të vitit të kaluar së bashku me deputetin Islam Pacolli dhe ministrin Fatmir Matoshi, kanë vizituar minatorët e Artanës  dhe kanë parë kushtet e mjerueshme të punës dhe mensës ku ushqehen në baza ditore.

“Aty premtova që do të siguroj fonde për përmirësimin e kushteve dhe të përmirësoj mirëqenien e minatorëve”, ka shkruar Lluka në Facebook.

Ai ka treguar se këto fonde janë siguruar dhe presin që në fund të vitit mensa dhe kuzhina të jenë gati.

“Presim që në fund të këtij viti minatorët të ushqehen me dinjitet pas punës së lodhshme që ata bëjnë”, ka përfunduar Lluka.