Mimoza Kusari- Lila në Debat Pernime - Foto: KALLXO.com

Mimoza Kusari: Presidenti Thaçi Ka Deficit Serioz në Njohjen e Kushtetutës

Deputetja e Kuvendit të Kosovës Mimoza Kusari-Lila ka thënë se vendimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të mos e dekretuar Ligjin për Shoqëritë Tregtare tregon se ai nuk e njeh mirë Kushtetutën e Kosovës.

“Vendimi i presidentit Thaçi është vazhdimësi e vendimeve të tij të cilat tregojnë së presidenti ka deficit serioz të njohjes së Kushtetutës së vendit”, ka thënë Kusari-Lila për KALLXO.com.

Ajo më tej ka shtuar se presidenti ka dështuar të kuptojë përgjegjësinë publike të shoqërive aksionare dhe rrjedhimisht kuotën e cila synon barazinë në shoqëri dhe zhvillim të qëndrueshëm, ta trajtojë si jashtë Kushtetuese.

“Unë do të vazhdoj me angazhimin për avancim të rolit të gruas në shoqëri, përfshirë këtu punën e mëtutjeshme për këtë nen”, shtoi deputetja.

Më 15 mars Kuvendi i Kosovës kishte miratuar amendamentin e propozuar nga deputetja Mimoza Kusari-Lila për Ligjin për Shoqëritë Tregtare që ka të bëjë me përfshirjen e grave në bordet e shoqërive aksionare me kuotën 40%.

Ky amendament gjithashtu parashihte që pas dy viteve kjo kuotë të rritet në 50%.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë mbështetur këtë amendament edhe pse shumë grupe parlamentare nuk e mbështetën atë.

Pavarësisht qëndrimit të grupeve parlamentare, 54 deputetë e mbështetën këtë propozim, 35 votuan kundër ndërsa 5 abstenuan.

http://kallxo.com/miratohet-amandamenti-mimoza-kusarit-per-kuoten-gjinore-ne-shoqeri-aksionare/

Por, nga ana tjetër vendimin e presidentit Thaçi për të mos e dekretuar Ligjin për Shoqëritë Tregtare e ka përshëndetur ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili edhe gjatë seancës së 15 marsit ishte kundër amendamentit të propozuar nga deputetja Mimoza Kusari-Lila.

http://kallxo.com/thaci-nuk-e-dekreton-ligjin-per-shoqerite-tregtare/

http://kallxo.com/ministri-hasani-pershendet-vendimin-e-presidentit-per-ligjin-per-shoqerite-tregtare/