Mimoza Kusari paralajmëron padi të re ndaj Ardian Gjinit

Në gjykimin e kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini, i akuzuar për shpifje, paditësja, ish-kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar në seancën e sotme padi të re ndaj ish-rivalit të saj të zgjedhjeve për kreun e Komunës.

“I padituri Ardian jo vetëm që nuk ka kërkuar falje, por ka vazhduar me deklarata, duke e zgjedhur fushën e propagandës dhe keqinformimit, duke e përgatitur dhe e sponzorizu një video nga faqja zyrtare e Komunës së Gjakovës, ku subjekt i trajtimit jam jo vetëm unë por edhe familjarët e mi. Andaj nëse ajo video nuk hiqet nga faqja e Komunës, unë do të bëjë padi tjetër”, tha Mimoza Kusari-Lila në seancën e sotme, e dyta me radhë rreth padisë së ushtruar nga ajo.

Në Gjykatën e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila tha se i padituri kishte cenuar integritetin e saj duke i bërë qytetarët dhe mediumet politike të ngrenë pyetje lidhur me qëllimet me rastin e shpalljes se interesit të veçantë të kullës së Sylejman Vokshit. “E kjo ka ndikuar në dobësim të kredibilitetit të personit zyrtar dhe cenim të integritetit”, deklaroi ajo.

Deputetja Kusari-Lila tha se ishte pyetur nga qytetarët nëse ka ndonjë interes të përfitimit material familjar për zonën rreth kullës së Sylejman Vokshit.

Gjatë deklarimit të saj, ajo tha se burri i saj Arben Lila nuk menaxhon me asnjë veprimtari të ndonjë biznesi.

Gjykimi i Ardian Gjinit- Foto: KALLXO.com

“Në asnjë mënyrë ose formë familja Kusari nuk është ndikuar nga shpallja e interesit të veçantë në pronat dhe në vetë kullën e Sylejman Vokshit”, theksoi Mimoza Kusari-Lila.

Në pyetjen e të autorizuarit të saj, avokatit Durim Osmani, se ai keni dhënë vetes leje në distancë prej 23 metrave afër kullës, Mimoza Kusari-Lila mohoi një gjë të tillë, duke thënë se asnjë prej pronave afër kullës nuk është në posedimin e saj e as të afërmve të saj.

Ajo tregoi se vendimi për shpalljen e interesit të veçantë të kullës dhe zonës përreth ka kaluar në diskutim dhe trajtim edhe tek Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve.

Mimoza Kusari-Lila po ashtu tregoi se kompania Fiberlink ka qenë përfituese e kontratës nga Komuna e Gjakovës, por procesin e tenderimit e kishte bërë Zyra e Prokurimit dhe komisioni përgjegjës.

“Unë i njoh pronarët e Fiberlinkut dhe e di që asnjëri nga ata nuk është bashkëshorti im dhe as ndonjë i afërm i imi”, tha ajo.

“Njëri nga pronarët e Fiberlinkut është qytetari Hasan Krasniqi, me të cilën kam raporte shoqërore dhe ka qenë njëri prej asamblistëve të ish-subjektit politik ku kam qenë unë”, tha ajo.

E pyetur edhe nga i autorizuari i të paditurit, avokati Meshari Selimaj, se në kohën kur ajo ka qenë kryetare a ka lëshuar leje ndërtimi Drejtoria për Urbanizëm, paditësja tha se asnjë leje e lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit nuk është kthyer mbrapa nga Ministria e Kulturës.

Në seancën e sotme ka munguar i padituri Ardian Gjini.

Por, avokati i tij akuzoi Gjykatën se nuk është objektive dhe se “po shkon në avantazh të paditëses”.

Po ashtu, avokati Selimaj tha se tërhiqet nga propozimi për dëgjimin e të paditurit, Ardian Gjini, në cilësi të palës, me arsyetimin se i njëjti ka angazhime të tjera dhe se nuk do të deklarohet.

Ndërkaq gjyqtari Drilon Haraçija caktoi datën 24 maj për leximin e provave të lëndës.

Sipas padisë, Ardian Gjini në televizionet Klan Kosova dhe KTV kishte thënë që Kusari-Lila i ka dhënë vetes leje 23 metra afër kullës së Sylejman Vokshit, duke i futur në borxh qytetarët e Gjakovës.

Në padi thuhet se Gjini në bazë të aludimeve të tij ka thënë që Kusari-Lila nuk ka lënë gjë pa bërë për interesa personale me theksimin se u ka dhënë tenderë bizneseve në të cilat është partner burri i saj Arben Lila, në kompaninë Fiberlink dhe në diskotekën Hangover në Gjakovë.

Padia e Mimoza Kusari-Lila thekson se bashkëshorti i saj nuk është as partner i Fiberlinkut e as pronar i diskotekës, e po ashtu ceket se ajo nuk ka pasur asnjë interes personal në shpronësimin e tokave përreth kullës “Sylejmon Vokshi”, pasi që plani urbanistik ishte bërë para se Kusari-Lila të bëhej kryetare e Gjakovës dhe se çdo veprim në kundërshtim me planin urbanistik do të ishte i kundërligjshëm.

Në padi ishte kërkuar nga Gjykata që jashtë shqyrtimit gjyqësor të lëshohet urdhërese gjyqësore, me të cilën duhej detyruar i padituri Ardian Gjini që paditëses Mimoza Kusari-Lila t’i kërkojë falje publike lidhur me shpifjet e bëra.

Po ashtu, Mimoza Kusari-Lila kërkon kompensim për dëmin moral të shkaktuar sipas saj nga shpifjet dhe fyerjet e Gjinit. Për këtë arsye, ajo po kërkon dëmshpërblim në shumën 6.500 euro.