Mimoza Kusari- Lila, Debat Pernime. Foto: Kallxo.com

Mimoza Kusari, Plot Pyetje Pas Lirimit të të Akuzuarit për Tentim-Atentat

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari- Lila, është ndarë e befasuar nga vendimi i sotëm i trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Gjakovës i cili e liroi nga akuza të dyshuarin për tentim-atentat ndaj saj, Mikel Qupin.

Prokuroria e akuzonte Qupinse ishte marrë vesh me dy shtetas të Shqipërisë për vrasjen e Mimoza Kusari-Lilës gjatë muajit korrik të vitit 2015. Për vrasjen e atëherë kryetares së Gjakovës, Qupi sipas Prokurorisë u premtoi 300 mijë euro dy shtetasve shqiptarë, njëri nga të cilët ishte Gramoz Nukshiqi.

Në një postim në Facebook, Kusari-Lila sonte tregoi se si kishte mësuar se ndaj saj ishte duke u përgatitur një atentat.

“Para dy vite e gjysmë ishte Policia e Kosovës me anë të një telefonate që më sugjeroi të mos dal nga shtëpia prej atij momenti se kanë informacione serioze se diçka e rëndë po përgatitej kundër meje. Ishin tre muaj pasues kur lëvizjet e mia përcilleshin nga mbrojtja e afërt për të siguruar lëvizjen time. Janë disa intervista me hetues të krimeve të rënda dhe Prokurorinë Speciale për të zbuluar arsyen e mundshme të kërkesës për eliminimin tim”, shkroi ajo në Facebook.

Ajo shtoi se ishte një takim i veçantë me Mikel Qupin në vizitën e paparalajmëruar të saj si Kryetare e Komunës në vendin e tij të punës, në zyrën e vendit në Bishtazhin.

“Unë e dija emrin e tij nga Policia, ai ende nuk ishte arrestuar në muajin Gusht 2015. Sa kam parë dhe takuar njerëz në jetën time asnjë nuk është dridhur dhe frikësuar nga prezenca ime aty sikur Mikel Qupi atë ditë”, tha Kusari Lila.

Ajo shtoi se që prej arrestimit të tij dhe gjykimit të mbajtur nuk ka pasur as edhe një përpjekje e vetme për të sjellë dëshmitarët dhe të dyshuarin nga Shqipëria në Kosovë dhe “as edhe një deklarate e frymës së gjallë për atë se kush e filloi dhe pse e filloi këtë storie”.

“Shumë net pa gjumë dhe pyetje pa përgjigje për familjen time, prindërit e mi, djemtë e mi se pse Mamin dikush deshi ta vrasë. Unë nuk mora kërcënim direkt, ishte policia e shtetit të Kosovës që më tha, Duan të të vrasin. Është Gjykata Themelore e Gjakovës që liroi të akuzuarin pa bërë as më të voglën përpjekje për të dëgjuar në seancë ata që e thanë lajmin e rëndë në Korrik të 2015-tes. Pse as edhe NJË herë të vetme nuk sollët dëshmitarin nga Tropoja?!”, pyeti Kusari- Lila

“Kush duhet ta sjellë të vërtetën e rastit?! Apo të harrojmë se ishte fjala për jetën dhe vdekjen?! Unë dhe familja ime nuk morēn asnjë përgjigje me Aktgjykimin e sotëm, neve sot na lindin shumë pyetje tjera”, tha ajo.