Mimoza Kusari e fiton gjyqin, Ardian Gjini obligohet të paguajë

Gjykata e Gjakovës e ka detyruar kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini që t’ia paguajë ish-kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila 1,500 euro për cenimin e autoritetit dhe për shkaktimin e dhimbjes shpirtërore.

Gjykata e ka aprovuar pjesërisht kërkesë-padinë e Mimoza Kusari – Lilës ashtu që e ka detyruar Ardian Gjinin që në emër të cenimit të autoritetit të paguajë shumën prej 750 euro dhe në emër të shkaktimit të dhimbjes shpirtërore të paguajë shumën 750 euro.

Gjini detyrohet të paguajë shumën e përgjithshme prej 1,500 euro me kamatën përkatëse ligjore 8% në vit, e cila fillon të rrjedhë nga data 10 qershor (data e marrjes së këtij vendimi) e tutje, e deri në pagimin definitiv, e të gjitha këto në afatin prej 15 ditëve, nga dita e marrjes së aktgjykimit, e nën kërcënimin e përmbarimit me dhunë.

Sipas vendimit të Gjykatës është aprovuar pjesërisht kërkesë-padia e ish-kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila dhe është vërtetuar se Ardian Gjini në emisionin ‘Rubikon’ të datës 24 tetor 2017 ka shpifur ndaj ish-kryetares Kusari-Lila.

“Zonja Mimoza Kusari-Lila i ka dhënë tender bizneseve në të cilat është partner bashkëshorti i saj Arben Lila, duke shtuar se nuk ka lënë gjë pa bërë për interesa personale, duke shtuar se Arben Lila është partner në kompaninë ‘Fiberlink’ dhe në një diskotekë tjetër”, është shpifje, si e bazuar”, janë fjalët për të cilat është cituar t’i ketë thënë Gjini në emision.

Gjykata e Gjakovës e ka refuzuar si të pabazuar kërkesë-padinë e Kusari – Lilës kundër Ardian Gjinit me të cilën ka kërkuar që të vërtetohet se më datën 2 tetor 2017 në mënyrë publike në emisionin ‘Magazina lokale’ në ofruesin e shërbimeve mediale Klan Kosova, Ardian Gjini ka fyer dhe ose shpifur ndaj Kusari-Lilës.

Në kërkesë-padinë e Kusari-Lilës thuhej se Gjini kishte deklaruar “se Mimoza Kusari – Lila i ka dhënë vetes leje 23 metra afër kullës së Sylejman Vokshit, duke i futur në borxh qytetarët e Gjakovës, kryetarja e komunës, Kusari – Lila ka shpronësuar tokat afër kullës së Sylejman Vokshit, për interesa personale dhe kësisoj ka zhvatur buxhetin e Komunës së Gjakovës për interesa personale”.

Gjykata ia ka refuzuar Kusari-Lilës edhe një kërkesë-padi tjetër duke e konsideruar si të pathemeltë.

Kusari-Lila kishte kërkuar që të detyrohet Ardian Gjini që t’ia paguajë edhe pjesën tjetër të mbetur të kompensimit të dëmit, në emër të cenimit të autoritetit në shumën prej 2,500 euro dhe në emër të shkaktimit të dhimbjes shpirtërore prej 2,500 euro, në lartësinë e përgjithshme prej 5,000 euro me kamatën ligjore.

https://kallxo.com/mimoza-kusari-paralajmeron-padi-te-re-ndaj-ardian-gjinit/

https://kallxo.com/mimoza-kusari-permes-gjyqit-kerkon-6-500-euro-demshperblim-nga-ardian-gjini/

.