Mimoza Kusari- Lila, Debat Pernime. Foto: Kallxo.com

Mimoza Kusari: AAK Po Shantazhon Qytetarët e Gjakovës

Në ditën e parë të fushatës elektorale për balotazhin në Gjakovë, kandidatja për kryetare të Komunës, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për media tha se AAK po i kushtëzon qytetarët duke manipuluar me listat e veteranëve të luftës.

Kandidatja e Alternativës madje akuzoi partinë rivale edhe se po përdorë kërcënime të ndryshme ndaj qytetarëve, sidomos të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas.

“Këto forma janë shumë të dëmshme për vendin tonë dhe ne jemi duke apeluar që fushata zgjedhore gjatë këtyre pesë ditëve të shkojë në mënyrë sa më të qetë dhe dita e zgjedhjeve të këtë një proces të drejtë dhe transparent”, ka thënë Kusari-Lila.

I kontaktuar përmes telefonit, kandidati i AAK-së për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini, tha se u bën thirrje të gjithë vëzhguesve ndërkombëtarë e vendorë, Policisë dhe ambasadat që të shkojnë në Gjakovë për të parë se kush po bën presion.

“Kjo është nisje për me ndy fitoren tonë. Nuk është e drejtë kjo çka është tu bo Alternativa. Ju garantoj që kërkush nga Aleanca kërkujt asnjë lloj presioni nuk ia bën, asnjë lloj të blerjes së votave”, theksoi Gjini duke folur rreth akuzave të rivales së tij.

Ndryshe, në balotazh për kryetar të Gjakovës janë Mimoza Kusari-Lila dhe Ardian Gjini.