MIllorad Dodik

Milorad Dodik Nën Hetime për ‘Gjuhë të Urrejtjes’

Milorad Dodik do të përballet këtë muaj me një hetim për gjuhë urrejtjeje sepse tha më herët këtë muaj se organizatat islamike po financojnë rikthimin e boshnjakëve në zonën kufitare të vendit me Serbinë në mënyrë që “myslimanët të pushtojnë përsëri lumin Drina (zonën e Bosnjës lindore),” raportoi të hënën faqja e lajmeve Klix.

Prokurorët nisën hetimin pas një ankese nga anëtari boshnjak i partisë trepalëshe të vendit, Bakir Izetbegoviç.

Izetbegoviç tha se kjo ishte “deklarata më e rrezikshme nga një zyrtar i lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë” që prej kohës së luftës dhe u shpreh se ajo përfaqëson një lloj forme kanosjeje kundër të rikthyerve boshnjakë në zonën e kontrolluar nga serbët të Pordrinjes në Bosnjën lindore.

“Deklarata e lartpërmendur padyshim nënkupton se Milorad Dodik beson se deri në vitin 1992, boshnjakët ishin pushtues të zonës së Drinës dhe për këtë arsye ata duhet të dëboheshin nga shtëpitë e tyre,” tha Izetbegoviç.

Ai shtoi se deklarata nënkupton se rikthimi i boshnjakëve në zonë është “një tjetër pushtim i kësaj pjese të Bosnjës që duhet ndalur”.

Izetbegoviç iu ankua gjithashtu mbikëqyrësit ndërkombëtar të Bosnjës dhe Hercegovinës, Përfaqësuesit të Lartë Valentin Inzko, si dhe në Këshillin e Zbatimit të Paqes, një panel me ambasadorë që përfaqësojnë vendet që nënshkruan marrëveshjen e paqes të Bosnjës si garantë.

Gjatë luftës, forcat serbe të Bosnjës dëbuan ose vranë shumicën e popullsisë boshnjake të Bosnjës lindore.

Marrëveshja e Paqes e Dejtonit i vitit 1995, e cila i dha fund luftës, theksoi të drejtën e të dëbuarve që të rikthehen të sigurt në shtëpitë e tyre, por vetëm një numër i vogël i tyre e kanë bërë këtë tashmë, pasi shumë prej tyre mendojnë se kjo gjë nuk është ende e sigurt.

Dodik, i cili e bëri deklaratën në një event më 7 korrik në Bratunac, që përkujtonte serbët e vrarë në Bosnjën lindore në luftën e viteve 1992-1995, e hodhi poshtë ankesën si një përpjekje nga ana e Izetbegoviçit për të kriminalizuar lidershipin e Republikës Srpska.

Ai gjithashtu e mbrojti deklaratën e tij.

“Unë thashë se ka organizata që dhanë para ekskluzivisht për të ndihmuar njerëz që të kthehen në lindje, afër lumit Drina, dhe se kjo është një përpjekje e re për të ringjallur qëllimet e vjetra strategjike,” tha Dodik të hënën, raportoi TV1.

“Boshnjakët jetojnë të lirë në Bratunac, Srebrenicë dhe në disa vende të tjera. Unë nuk thashë që ata nuk duhet të vijnë,” tha ai.

Ndërkohë Inzko i dënoi komentet e Dodikut si “të mjerueshme, krejtësisht të papranueshme dhe një fyerje për çdo viktimë apo të mbijetuar”.

“Deklarata të tilla si ajo e bërë nga presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, nuk kanë qëllim tjetër veçse të krijojnë frikë midis një prej grupeve më të brishta në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ai duhet të jetë i vetëdijshëm se asnjë fushatë politike nuk mund ta justifikojë këtë,” tha Inzko në një deklaratë ditën e diel.