Miliona individëve në SHBA iu vodhën të dhënat personale

Të dhënat personale të rreth 106 milionë individëve në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada u vodhën gjatë një sulmi kibernetik kundër shërbimeve financiare të kompanisë Capital One.

Capital One është një lëshues i madh i kartelave të kreditit në SHBA.

Njoftimi i kompanisë erdhi pasi hakerja e dyshuar, Paige Thompson, u arrestua të hënën.

Sipas Capital One, të dhënat e vjedhura përfshijnë emra, adresa dhe numra telefoni të njerëzve që kanë aplikuar për karta krediti.

Por, hakerja nuk ka arritur të ketë qasje në numrat e llogarive të kartave të kreditit, tha kompania Capital One.

Sulmi, i cili u identifikua më 19 korrik, preku rreth 100 milionë individë në SHBA dhe 6 milionë në Kanada.

Seanca dëgjimore për hakeren e dyshuar u caktua për 1 gusht në qytetin Sietëll.