Seanca ndaj Milaim Zekes - FOTO KALLXO - 30.11.2018

Milaim Zeka para gjyqit nën akuzat për mashtrimin e rreth 900 qytetarëve me viza gjermane

I akuzuari Milaim Zeka, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe dy të akuzuarit tjerë, Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu, mbi të cilët rëndojnë veprat penale mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash, sot sërish kanë dal para gjyqit.

Seanca e sotme e cila udhëhiqet nga kryetari i trupit gjykues Mustafë Tahiri, si dhe dy anëtarët tjerë Nushe Kukaj-Mekaj dhe Lutfi Shala është shtyrë për disa minuta në mungesë të prokurorit special Atdhe Demaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit, Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin, si agjencion punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të pandehurit Prokuroria i akuzon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale mashtrimi, si dhe ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale shmangia nga tatimi.

Gjithashtu, të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, sipas prokurorisë kanë kryer veprën penale pastrimi i parave lidhur me veprat penale mashtrimi dhe shmangia nga tatimi.

Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, si bashkëpronarë të biznesit “Ilir Krasniqi & Milaim Zeka OP” me seli në Prishtinë, me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, në shumë prej 59.981.85 euro me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale shmangia nga tatimi.

Në pikën tjetër të aktakuzës thuhet se i pandehuri Milaim Zeka gjatë periudhës kohore  prej 26 janar 2012 e deri më 31 dhjetor 2017, si pronar i biznesit “N.SH qendra mediale Mozaiku i Kosovës” me seli në Prishtinë, me dashje direkte i është shmangur obligimeve tatimore ndaj ATK- së, në shumë prej 81.192.72 euro.