Seanca ndaj Milaim Zekes - FOTO KALLXO - 30.11.2018

Milaim Zeka, Ilir Krasniqi e Edmond Kërliu dalin para gjykatës nën akuzat për mashtrim, pastrim parash e shmangie tatimi

Milaim Zeka së bashku me Ilir Krasniqin e Edmond Kërliun kanë dalë sot para gjykatës lidhur me pretendimet e prokurorisë se të njëjtit kanë kryer vepra penale që kanë të bëjnë me mashtrim e pastrim të parave.

Por, lidhur me këto pretendime të Prokurorisë, prokurori special Atdhe Dema në seancën e sotme deklaroi se nuk i ka pranuar të gjitha kundërshtimet nga ana e mbrojtësve të të akuzuarëve.

“Unë kam pranuar vetëm kundërshtimin e mbrojtësve të pandehurit Ilir Krasniqi, avokatëve Ramë Dreshaj dhe Ramiz Krasniqi. Deri në këtë moment që po flasim, nuk kam pranuar kundërshtimet lidhur me dy të akuzuarit e tjerë dhe besoj që sot nuk është momenti me u përgjigj pa i lexu”, deklaroi prokurori Atdhe Dema.

Pasi që kundërshtimet e palës mbrojtëse nuk kishin arritur me kohë në Prokurori, gjykatësi i rastit Mustafë Tahiri, prokurorit fizikisht ia dorëzoi këto kundërshtime lidhur me dy të akuzuarit tjerë Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu.

Lidhur me kundërshtimet të cilat i kanë parashtruar me shkrim si mbrojtësit ashtu edhe të akuzuarit qëndruan pranë atyre kundërshtimeve të paraqitura me shkrim.

Më pas gjykatësi Mustafë Tahiri, deklaroi se do të vendos me aktvendim të posaçëm pas vlerësimit të kërkesave për hedhje të aktakuzës, aktvendim i cili më pas do t`u dorëzohet palëve.

Gjykatësi Mustafë Tahiri e obligoi prokurorin special që brenda një jave t’i paraqes me shkrim përgjigjet ndaj kundërshtimeve dhe kërkesave për hedhje të aktakuzës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, kundër të pandehurve Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, për veprat penale mashtrimi, shmangia nga tatimi si dhe për veprën penale pastrimi i parave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit, Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016-ta e deri në mars të vitit 2017-ws, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin, si agjencion punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

https://kallxo.com/aktakuze-ndaj-deputetit-milaim-zeka-per-mashtrim-e-pastrim-te-parave/

Të pandehurit Prokuroria Speciale i akuzon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale mashtrimi, si dhe ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale shmangia nga tatimi.

Gjithashtu, të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, sipas Prokurorisë kanë kryer veprën penale pastrimi i parave lidhur me veprat penale mashtrimi dhe shmangia nga tatimi.

EKSKLUZIVE: Dosja e ATK-së që pretendon shmangien tatimore nga Milaim Zeka

.