Deputetët Frashër Krasniqi (VV) e Milaim Zeka (NISMA) gjatë debatit, para incidentit. Foto: Klan Kosova/Screenshot

Milaim Zeka dhe Frashër Krasniqi mungojnë në gjykatë

Ka dështuar të mbahet seanca e parë gjyqësore ndaj dy deputetëve, Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka.

Krasniqi, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, është tani deputet i Partisë Socialdemokrate, ndërsa Milaim Zeka, është ish-deputet i Nisma Socialdemokrate, ndërsa tani ka krijuar një parti të re të quajtur Partia Euro-Atlantike.

Këta të dy ishin përfshirë në përleshje  në shtator të vitit 2017 gjatë një debati të drejtpërdrejt televiziv.

Në një moment të këtij debati, sipas pamjeve të transmetuara, Frashër Krasniqi hodhi ujë në drejtim të Milaim Zekës, ndërsa të njëjtën gjë e bëri pastaj edhe Zeka ndaj Krasniqit. Pastaj Krasniqi, u ngrit nga karrigia e debatit dhe e sulmoi fizikisht Zekën.

Prokuroria e ngarkon Krasniqin për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Zekën për veprën penale “kanosje”.

Arsyeja e mos mbajtjes së seancës ishte mungesa e dy të akuzuarve.

Gjykatësi, Hanefi Jashari deklaroi se gjykata ftesat i ka dërguar në mënyrë të rregullt në qeshor të këtij viti.

Mirëpo nga fletëkthesat, del se Frashër Krasniqin nuk jeton në adresën e njëjtë. Kurse adresa për Zekën nuk ishte e plotë.

Ndërsa i pranishëm në sallën e gjykatës ishte prokurori  Fatmir Behrami.

Seanca e radhës është caktuar për datën 7 gusht.

Aktakuza ndaj dy deputetëve përshkruan se  më 29 shtator 2017 përleshja fizike ndaj dy të akuzuarve kishte ndodhur gjatë emisionit “Info Magazine”, gjatë transmetimit të drejpërdrejtë në Klan Kosova.

Pas fyerjeve e sharjeve në mes të Krasniqit e Zekës, situata kishte eskaluar në përleshje fizike mes tyre.