Gjykimi ndaj Milaim Zekes dhe dy te tjereve per mashtrimin me viza - 08.04.2019

Milaim Zeka dhe dy të akuzuarit tjerë përballen me dëshmitarët që paguan mijëra euro për viza që nuk i morën kurrë

Tre të akuzuarit për mashtrim me viza pune të Gjermanisë, pastrim parash, shmangie nga tatimi, Milaim Zeka, Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu, janë ballafaquar sot në gjykatë me dëshminë e Leotrim Lekës.

Dëshmitari Leotrim Leka deklaroi se me të akuzuarit nuk kishte kontaktuar personalisht, mirëpo tha se te agjesioni “Ilir Krasniqi OP” kishte aplikuar për vizë pune.

Në agjesionin “Ilir Krasniqi OP” ai tregoi se kishte nënshkruar marrëveshje me zyrtaren Blerta, dhe kishte paguar shumën prej 1050 euro, dhe kishte marrë premtime se brenda një muaji do të pajiset me vizë pune.

Ai tha që ka pasur të paguaj edhe një shumë pasi t`i lëshohej leja e punës, por që saktë nuk e dinte sa ka qenë totali, 2000 euro apo plus 2000 euro.

Dëshmitari Leotrim Leka tutje tregoi se nuk ju kishte siguruar as leja e punës e as viza për Gjermani.

Në pyetjen e prokurorit Atdhe Dema se kjo shumë të cilën e kishte  paguar 1050 a kishte kërkuar që t`i kthehet, dëshmitari tha se në rrjetin “Facebook”, i kishte shkruar të akuzuarit Ilir Krasniqi, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

I Kam bërë një shkrim në mesengjer Ilir Krasniqit, ku i kam shkruar me ma dhënë një përgjigje për me mi kthy paret ose m`u bo viza, por nuk kam marrë përgjigje, masnej jam shku te zyrja dhe zyrja ka qenë e mbyllur”, tha dëshmitari Leotrim Leka.

Ndërsa në lidhje me të akuzuarin Milaim Zeka dëshmitari tha se i kujtohet se zyrja ka qenë me emër Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka.

“Kushdo që është  pronar së bashku me këtë agjension Ilir Krasniqi e ndjekë ligjërisht”, tha dëshmitari.

Ndërsa për të akuzuarin Milaim Zeka dëshmitari tha se asnjëherë s`ka kontaktuar me të lidhur me rastin.

Gjatë kësaj seance kryetari i trupit gjykues Mustafë Tahiri njoftoi palët si dhe përkatësisht prokurorin special Atdhe Dema, se Gjykata me datën 01 pill 2019 kishte pranuar një kërkesë me shkrim nga ana e mbrojtjes së të pandehurit Edmond Kërliu, avokati Kujtim Kërveshi, ku ka kërkuar veçimin e procedurës penale ndaj të mbrojturit tij.

Poashtu me të njëjtën datë njoftoi se Gjykata kishte pranuar edhe një kërkesë nga mbrojtësi i të pandehurit Ilir Krasniqi, avokati Ramiz Krasniqi, kërkesë kjo për lejimin e udhëtimit jashtë vendit për të akuzuarin Ilir Krasniqi.

Prokurori special Atdhe Dema tha se të njëjtat do t`i shqyrtojë në ditët në vijim dhe do të deklarohet lidhur me këto kërkesa.

Kurse kryetari i trupit gjykues Mustafë Tahiri tha se lidhur me kërkesat do të vendos pasi të merr përgjigje nga ana e prokurorit.

Seanca gjyqësore është duke vazhduar ku do të dëgjohen edhe dëshmitarët Bekim Mikullovci, Kastriot Brahimi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit, Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin, si agjencion punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të pandehurit prokuroria i akuzon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale mashtrimi, si dhe ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale shmangia nga tatimi.

Gjithashtu, të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, sipas prokurorisë kanë kryer veprën penale pastrimi i parave lidhur me veprat penale mashtrimi dhe shmangia nga tatimi.

Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, si bashkëpronarë të biznesit “Ilir Krasniqi & Milaim Zeka OP” me seli në Prishtinë, me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, në shumë prej 59.981.85 euro me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale shmangia nga tatimi.

Në pikën tjetër të aktakuzë thuhet se i pandehuri Milaim Zeka gjatë periudhës kohore  prej 26 janar 2012 e deri më 31 dhjetor 2017, si pronar i biznesit N.SH qendra mediale “Mozaiku i Kosovës” me seli në Prishtinë, me dashje direkte i është shmangie obligimeve tatimore ndaj ATK- së, në shumë prej 81.192.72 euro.