Autostrada "Arbën Xhaferi" - Foto: Facebook/PalLekaj

MI: Kemi zgjatur afatin e pagesës së 53 milionëve, jo kryerjen e punimeve nga Bechtel & Enka

Ministria e Infrastrukturës ka reaguar pas publikimit të lajmit se kjo e fundit si dhe kompania Bechtel & Enka janë marrë vesh që kësaj të fundit t’i zgjatet afati për 152 ditë për të përfunduar punimet në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit.

Sipas kësaj ministrie nuk është zgjatur afati i kryerjes së punëve por vetëm afti për pagesën e 53 milionëshit.

“Nuk është i saktë konstatimi se MIT ka zgjatur kohën për përfundimin e punëve ndërtimore në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”, por vetëm afatin për pagesën e shumës së shpenzimeve për zgjatjen e kësaj kontrate. Këto dy çështje janë të ndara sipas kontratës dhe aneks kontratave të nënshkruara nga të dy palët”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.

Sipas tyre kontrata e realizimit të projektit ka qenë e pamundur të përfundohet në janar.

“Kontrata për realizimin e projektit të autoudhës “Arbën Xhaferi” ka qenë e planifikuar të përfundonte në janar të vitit 2018. Duke parë se një gjë e tillë është e pamundur, për shkaqe të njohura tani për publikun, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me 27 shtator 2017, kishte zgjatur kohën për përfundimin e këtij projekti deri më 31.12.2018, ndërsa shpenzimet për këtë zgjatje do të përcaktoheshin më vonë”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Tutje në këtë njoftim bëhet e ditur se afati i fundit për pagesën e borxhit ndaj kompanisë Bechtel & Enka është 1 qershori.

“Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 5 qershor 2018 për akordimin e shumës prej 53,1 milionë euro, në emër të kontratës së datës 27 shtator 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me datë 5 shtator 2018, ka nënshkruar një aneks të kontratës për përcaktimin e afateve kohore të pagesës së kësaj shume, e cila pritet të paguhet në këste të barabarta deri me 1 qershor 2019”, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Tutje në këtë njoftim kjo ministri është zotuar se ditëve në vijim do të bëhen të ditura shkaqet për vonesën e përfundimit të këtij projekti dhe veprimet e mëtejme për vonesën.

 

https://kallxo.com/kdi-bechtel-enkas-i-zgjatet-per-152-dite-afati-per-perfundimin-e-autostrades/

.