Pamje nga lansimi i programit të integritetit nga MFSK-ja - Foto: KALLXO.com

MFSK-ja Lanson Programin e Integritetit

Ministria e Forcës së Sigurisë ka lansuar programin e integritetit, i cili ka për qëllim forcimin e integritetit të Ministrisë por edhe të FSK-së.

Programi parasheh menaxhim të mirë të burimeve njerëzore, parandalimin e konfliktit të interesit, përmirësim të sistemit të prokurimit publik, menaxhim të mirë të aseteve dhe fuqizim të kontrollit të brendshëm.

Ministri Haki Demolli vlerësoi se një institucion, në këtë rast Ministria e Forcës së Sigurisë dhe vetë FSK-ja, nuk mund të funksionojë dhe nuk mund të ofrojë siguri nëse nuk ka integritet.

Prandaj, tha ai, NATO i kushton shumë rëndësi zhvillimit të integritetit të strukturave ushtarake.

“Qëllimi i ofrimit të sigurisë dhe stabilitetit nuk mund të arrihet nëse ka mungesë të integritetit. Prandaj NATO-ja i ka kushtuar rëndësi të madhe zhvillimit të strategjive dhe politikave që kanë prioritet kryesor integritetin në strukturat ushtarake të shteteve anëtare”, tha Demolli.

Ministri Demolli tha se Ministria dhe Forca e Sigurisë së Kosovës janë të përkushtuara të zbatojnë standardet e NATO-s.

“Ministria e Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës qëndrojnë të përkushtuara për arritjen e standardeve të NATO-s. Duke i përshtatur standardet ndërkombëtare ne gradualisht filluam së përgatituri për t’u bërë anëtarë të përgjithshëm dhe të besueshëm të NATO-s”, shtoi Demolli.

Ministri theksoi se Kosova është e përkushtuar fuqishëm në anëtarësimin në programe të ndryshme, të cilat çojnë drejt anëtarësimit të plotë në NATO.

“Kosova ka dëshmuar përkushtim të plotë për anëtarësimin e programit, në partneritet për paqe dhe më vonë anëtarësimin e plotë në NATO”, shtoi ministri.

Ndërsa, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, tha se integritetit konsiderohet si diçka esenciale në punën e institucioneve publike dhe se korrupsioni i zvogëlon aftësitë mbrojtëse të vendeve të ndryshme.

“Për ta zvogëluar nivelin e korrupsionit në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes të gjithë aleatët e NATO-s janë të përfshirë në këtë program. Dhe ne të gjithë jemi duke punuar intensivisht për të ndaluar korrupsionin në sektorin tonë të mbrojtjes. Është më shumë se sa një çështje e mbrojtjes, është dëshmi e një qeverisjeje të mirë. Korrupsioni dhe marrja e ryshfetit i zvogëlojnë aftësitë tona sepse ato e ndajnë buxhetin tonë nga direktivat  dhe qëllimet tona dhe kjo është e rrezikshme në kohën kur buxhetet e çdo vendi janë nën presion”, tha ambasadori norvegjez.

Po ashtu, ambasadori theksoi se korrupsioni është një akt jopatriotik.