Meucci: Kam Pasur Shumë Presione nga Brukseli

Shefi në largim i EULEX-it, Gabriele Meucci, e pranoi se ka pasur shumë presione nga selia e Bashkimit Evropian në Bruksel gjatë kohës sa e ka menaxhuar këtë mision.

Në intervistën e dhënë për emisionin “Jeta në Kosovë”, Meucci u shpreh se në Bruksel ka pasur dyshime se ai ka vepruar në Kosovë “si individualist i pavarur”.

“Unë kam pasur shumë presion nga Brukseli mirëpo në sensin menaxherial, se dyshonin që unë isha pak si individualist i pavarur. Unë gjithmonë kam pasur një qëndrim të qartë që do të merrja përgjegjësinë për këtë mision në një mënyrë  që, është një mision shumë i madh, me vendime të shumta ekzekutive, e dija saktë se ku janë limitet e mia dhe se ku janë përgjegjësitë e mia, dhe nga ajo çfarë u kërkua të bëja nën përgjegjësitë e mia, unë isha i zoti i punës sime (nuk lija të më përzihen). Ky ishte qëndrimi im gjatë gjithë kohës”, tha Meucci.

Që në ditët e para të ardhjes në krye të misionit në vjeshtë të vitit 2014, Meuccit i është dashur të përballet me pasojat e aferës së akuzave publike të ish- prokurores Maria Bamieh për përfshirje të njerëzve të drejtësisë brenda misionit në afera korruptive.

Por Meucci tha në intervistë se dikush nga hierarkia mendonte se në Prishtinë “kishin sjellë një kukull”.

“Unë nuk kam vepruar si kukull në duart e të tjerëve, dhe ajo që po flas tani nuk iu referohet aspak aktiviteteve gjyqësore (por aspekteve menaxheriale)”, tha ai.