Presidentët shqiptar e kosovar, Ilir Meta e Hashim Thaçi - Foto: Presidenca e Kosovës

Meta: Pasaportat Shqiptare Nuk Janë Zgjidhja për Qytetarët e Kosovës

Duke komentuar kërkesën e presidentit të Kosovës për dhënien e nënshtetësisë shqiptare për qytetarët kosovarë, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se e mirëkupton kërkesën, që sipas tij vjen nga presioni i drejtë i qytetarëve të Kosovës, por se zgjidhja nuk është që të merret nënshtetësia shqiptare.

Zgjidhja, tha Meta, është te kalimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Presidenti Ilir Meta tha se pas zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, politika kosovare duhet të nisë një dialog edhe më aktiv me BE-në, por edhe me Malin e Zi, për të zhbllokuar këtë çështje.

Ndërsa, presidenti Thaçi tha duke qenë se demarkacioni është bërë kusht i domosdoshëm që Kosova duhet ta implementojë që të ndodhë liberalizimi në të ardhmen e afërt nuk sheh ndonjë perspektivë që Kuvendi i Kosovës, “me këtë logjikë, mentalitet dhe këtë filozofi kundër votimit”, mund ta kalojë marrëveshjen e arritur mes shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi.

Në anën tjetër, shtoi presidenti Hashim Thaçi, qasja bllokuese e BE-së, që është argument shtesë në raport me Kosovën, më shtynë që sot t’i lutem presidentit të Shqipërisë dhe autoriteteve të tjera të Shqipërisë që duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisëdhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, me të drejtën për dyshtetësi, t’u lejohet qytetarëve të Kosovës të aplikojnë për nënshtetësi, ta fitojnë këtë të drejtë, dhe të lëvizin lirshëm në Evropë.

“Aktualisht kjo është shpresa e vetme që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm”, theksoi Thaçi në takimin me homologun e tij shqiptar Ilir Meta, të cilin e dekoroi me medaljen “Urdhri i Pavarësisë”.